Trajneri i Lushnjes beson se skuadra e tij do të bëjë mirë në të ardhmen. Për “Supersport” Hysen Dedja shpreh keqardhje për humbjen me Kamzën, pasi thekson se skuadra e tij mund të kishte marrë pikë në ndeshjen e sotme, për mënyrën sesi shkuan gjërat.
“Më vjen keq shumë për mungesën e rezultateve. Ishim përgatitur këto ditë që të paraqitemi mirë. Skuadra nuk ka nevojë për lojë, por për rezultat. Ekipi luajti mirë dhe kaluam në avantazh. Janë disa episode shumë amatore, që jo vetëm në këtë takim, na dëmtojnë. Për 90 minutat them se skuadra ka dhënë maksimumin. Kemi nevojë për pikë. Ndoshta më mirë të luajmë keq e të marrim pikë. Patëm guxim të rrezikonim. Të dyja skuadrat në fushë nuk e tregonin distancën e pikëve në klasifikim”.
“Pavarësisht se ne reaguam, e kam thënë dhe më herët se kemi djem të mrekullueshëm. Ka dëshirë në ekip për të dal nga kjo situatë. Sot mund të merrnim diçka më tepër, duke parë dhe faktin që ishim në avantazh”.
“Unë nuk heq dorë. Nuk themi që kemi rënë sepse kemi dhe 20 takime. Më jep shpresë lojë dhe ajo që japin djemtë në stërvitje. Kemi nevojë për përforcime, e kam thënë më herët. Në janar do të kërkoj afrime nga Bashkia. Do të konkurrojmë deri në fund”.