Bujar Balliu
Iliria mbetet e pathyeshme në shtëpi, pasi edhe dje “kurban” në “Redi Maloku” u bë skuadra e Tomorit. Vendasit e drejtuar nga Fatmir Sala, arritën një fitore minimale me një gol të realizuar nga sulmuesi Anton Lleshi, i cili rikthehej pas një periudhe dëmtimi që e mbajti për rreth dy muaj larg fushës së blertë. Nga ana tjetër, miqtë vinin në këtë takim me mungesën e trajnerit Dule, i cili u dorëhoq të premten pasdite. Në drejtimin e skuadrës beratase ishte përgatitësi atletik Klement Agalliu. Në fundin e takimit Iliria iu gëzua tri pikëve, ndërsa miqtë nga Berati protestuan ashpër ndaj arbitrit kryesor Zhuli.
Ndeshja – Takimi nis mirë për vendasit të cilët hidhen në kërkim të golit që në minutat e para dhe përpjekjet e tyre shpërblehen pasi goli nuk do të vonojë. Pas një topi në zonën mike, Papleka jep një top në afërsi të zonës për sulmuesin Anton Lleshi, i cili me portën e boshatisur arrin që ta çojë lehtësisht në rrjetë dhe të zhbllokojë rezultatin, 1-0. Miqtë, protestojnë për pozicion jashtë loje, por vendimi i kryesorit nuk ka kthim. Pas pësimit të golit, beratasit hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit. Dhe një rast ideal për të barazuar shënohet në të 15-ën, kur mesfushori Aristotel Koleci, nis një “predhë” në drejtim të portës së mbrojtur nga Baku, i cili është pozicional dhe neutralizon si duhet, duke mos lejuar prekjen e portës së mbrojtur prej tij. Me një rast të ngjashëm kundërpërgjigjen edhe vendasit, është kapiteni Doçi ai që gjuan fort në drejtim të portës së mbrojtur nga Kaloshi, por ky i fundit grushton mjaft mirë. Të besuarit e Salës, kërkojnë golin e sigurisë me anë të Lleshit, Doçit dhe Bardhit, të cilët tentojnë herë pas here portën mike, por në finalizim nuk arrijnë që ta çojnë “sferën” në rrjetë. Në të 41-ën, miqtë kishin rastin më ideal të ndeshjes për të barazuar shifrat. Sharavolli me portën e boshatisur godet, por nuk merret vesh me lojtarin e tij, pasi ky i fundit në vend që ta çonte drejt portës e devijon atë. Fraksioni i parë mbyllet me rezultatin 1-0, ndërsa me nisjen e pjesës së dytë miqtë shfaqen më të rrezikshëm dhe herë pas here tentojnë portën vendase, por përpara saj janë të pa fat. Onuh është rreziku kryesor për Bakun, por ky i fundit i bëhet shpëtimtar dhe e mban portën e tij të paprekur deri në fund. Edhe vendasit kanë disa raste për të realizuar golin e sigurisë, por përpara porte tregohen të pa saktë. Ashtu si tek goli, edhe gjatë lojës konkretisht pas minutës së 60-të, beratasit protestojnë ndaj çdo vërshëllime të kryesorit Zhuli, madje aq shumë protestojnë e ofendojnë sa që ky i fundit detyrohet dhe nxjerr shefin e klubit nga pankina për në tribunë. Loja rifillon, dhe të dy skuadrat rrezikojnë, por deri në fundin e takimit nuk ka më gol. Pas vërshëllimës së fundit, e gjithë tribuna, aty ku ishin vendosur beratasit, nuk i kursejnë ofendimet ndaj gjyqtarëve të cilët mbahen të paprekur nga forcat e rendit.
Iliria – Tomori 1-0
Shënues: Lleshi 9′
Iliria: Baku, Sala, Boçi, Papleka, Gjokeja, Doçi (Zuna 74′), Bardhi, Mëllugja, Kurti, Berberi (Turkaj 73′) Lleshi (Xhabrahimi 58′). Trajner: Fatmir Sala.
Tomori: Kaloshi, Çaço, Bitri, Daci, Paja, Sharavolli, Hyseni, (Buba 71′), Koleci (Mersini 47′), Myzyri, Mirani (Dobra 62′), Onu. Trajner: Klement Agalliu.
Gjyqtarë: E. Zhuli, B. Mesi, M. Shazivari, E. Bastari (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Mëllugja 29′, Bardhi 72′, Baku 89′ / Çaço 12′, Koleci 13′, Onuh 88′, Sharavolli 93′
Agalliu: Arbitri, amator
Klement Agalliu, trajneri i Tomorit foli për ndeshjen e djeshme, por ai ka rezerva për gjykimin: “Ndeshja e tregoi se ne luajtëm si të barabartë me ekipin e Ilirisë. Largimi i trajnerit befasishëm na dëmtoi pak. Megjithatë, çunat e vlerësuan ndeshjen si duhet, atmosfera ishte mikpritëse, të dy ekipet dhanë një futboll të mirë, por arbitri la për të dëshiruar. Për mua një arbitrim i tillë nuk e lejon sportin që të bëjë përpara. Arbitri u tregua amator”, mbylli ai.
Sala: Kënaqësi pikët, jo loja e pjesës së dytë
Fatmir Sala, trajneri i Ilirisë është i bindur se skuadra e tij është e pathyeshme në shtëpi: “E kishim vlerësuar maksimalisht ekipin e Beratit, pasi është një ndër skuadrat më të mira të grupit tonë. Gjatë gjithë javës punuam me seriozitet të madh për të arritur një fitore të cilën e arritëm sot. Më gëzojnë këto tri pikë, por jo loja e skuadrës në pjesën e dytë. Megjithatë gjatë javës në vazhdim do të punojmë të ndreqin ndonjë gjë, pasi në fundjavë na pret një tjetër përballje e vështirë ndaj Tiranës”, mbylli Sala.