Tirana “burgoset” në Shënkoll, Ze Maria: Menduam edhe për Kupën

Bernard Gjikolaj

Tirana burgoset në Shënkoll. Pas shtatë fitoreve dhe një humbjeje bardheblutë shijojnë edhe barazimin. Në një ndeshje të luajtur në një fushë modeste si ajo e Shënkollit, vendësit realisht bënë surprizën, ku në sfidën e parë me Tiranën ndalën bardheblutë. Madje ishin shumë pranë fitores, por eksperienca dhe fuqia bënë që bardheblutë të mos humbin ndeshjen e dytë në Kategorinë e Parë. Sa për Tiranën, eksperimenti Ze Maria dështoi, pasi skuadra nuk mori më shumë se një barazim. Shpëtimtarët janë dyshja Hoxhallari-Karabeci, që gatuajnë golin e barazimit, ndonëse skuadra ishte me 10 vetë. Realisht, barazimi në ndeshjen e javës së nëntë mes vendësve të Shënkollit dhe bardhebluve të Ze Marias, konsiderohet për Tiranën një gjysmë dështim, por kryeqytetasit e çojnë në katër diferencën me Bylisin çka e qetëson disi trajnerin brazilian. Elozhe vendësve që ia dolën të shkruajnë emrin e tyre në historinë e futbollit shqiptar.

SHËNKOLLI – TIRANA 1-1

Shënues: Pjetrushi 18’/ Karabeci 69’ (11-m)

Shënkolli: Rin. Danaj, S. Danaj, Mirdita, Mashi, Baku, Pjetrushi (Selaci 73’), R. Luzi, A. Luzi (Nekaj 91’), Çeku, Kulli (Marku 82’), Gega. Në dispozicion: Hasanaj, Zefi, Dedaj, Merdhoçi. Trajner: Ritvan Kulli

Tirana: Abibi, Cake, Ngo (Hoxhallari 46’), Sentamu, Qilimi, Daja, Çelhaka, Greca, Halili (Doka 56’), Uellison, Kërçiku (Karabeci 66’). Në dispozicion: Lika, Bardhi, Turtulli, Mauexhe. Trajner: Ze Maria

Gjyqtarë: Klajdi Kola, Ani Koçia, Erion Potomi, Kreshnik Bajramaj (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Baku 28’, R. Luzi 30’, Pjetrushi 73’/ Çelhaka 45’, 64’

Karton i kuq: Çelhaka 64’

Tjetër minus për Ze Marian: Gabuam 45 minuta

Ndonëse skuadra e tij nuk u mund, madje shtoi me një pikë diferencën me Bylisin, trajneri brazilian i bardhebluve tha se në pjesën e parë skuadra nuk ishte në fushë

Që në zë ndihej zhgënjimi i Ze Marias pas barazimit të djeshëm me Shënkollin. Ndonëse skuadra e tij nuk u mund, madje shtoi me një pikë diferencën me Bylisin, trajneri brazilian i bardhebluve tha se në pjesën e parë skuadra nuk ishte në fushë. “Kemi gabuar në pjesën e parë. Veç golit kemi treguar dobësi në mbrojtje dhe në sulm. U kemi dhuruar kundërshtarëve mundësi për të shënuar. Këtë nuk duhet ta bëjmë më kurrë. Na u desh të ndryshonin disa gjëra që të merrnim pikën në pjesën e dytë”, është shprehur në fillim Ze Maria.

Trajneri i Tiranës tregoi se objektivi ishin tri pikët, por plani u prish në fund të pjesës së parë. “Ne nuk erdhëm për barazimin, por për të fituar ndeshjen. Këtë e bëjmë gjithmonë dhe kundër çdo kundërshtari. Gjetëm një kundërshtar që u mbyll shumë mirë dhe një fushë të vogël për të luajtur. Më pas janë edhe gabimet tona. Dhuruam golin dhe raste pa fund. Në pjesën e dytë skuadra doli në lojën e saj, luajti më mirë dhe barazuam lojën. Patëm mundësi për të fituar, por nuk ia dolëm”, vazhdoi më tej Ze Maria që preku edhe temën e lojtarëve që kishte lënë pushim.

“Kishim lënë pushim disa titullarë, sepse kemi tre ndeshje këtë javë. Nuk ia hoqëm rëndësinë ekipit. Kanë luajtur gjashtë lojtarë nga 11 të ndeshjes së fundit dhe më pas të tjerët. Qilimi është pjesë e skuadrës. Nuk është mungesë respekti, por vetëm një “rrotacion”  për dy ndeshjet e radhës. Objektivi ynë është kthimi në Superligë. Dhe këtë gjë do ta bëjmë. Skuadra është e përqendruar dhe me besim. E meriton të jetë atje. E rëndësishme është që skuadra nuk u mund edhe në ditë jo të mira si kjo e sotmja. Jam i bindur se do t’ia dalim”, ka mbyllur trajneri i bardhebluve.

 

Pjetrushi: Goli për tim vëlla

Klajdi Pjetrushi, autori i golit të Shënkollit ka qenë shumë i emocionuar në sfidën e djeshme me Tiranën. Shënoi një gol që i dha një pikë Shënkollit, gol për të cilin ka një dedikim special.

“E pata thënë që Tirana është skuadra më e mirë e kësaj kategorie, por në fushën tonë të gjithë do ta kenë të vështirë. Golin ia dedikoj vëllait tim që nuk jeton më. Duhet të them se sporti është i tillë. Miqtë barazuan me një penallti. Edhe një pikë na gëzon. Ne kemi si synim pesëshen e parë, siç ia dolëm edhe vjet, ndonëse është fusha që vendos. Kemi dy ndeshje me Apoloninë dhe Bylisin ku shpresojmë të fitojmë”, mbylli lojtari shënkollas.

 

Kulli: Duam pesëshen e parë të grupit B

Ritvan Kulli, trajneri i Shënkollit thotë se ishte mëkat që skuadra humbi dy pikë. Sipas tij, lojtarët u trembën nga emri i Tiranës, por ai gjithsesi është i kënaqur me pikën e marrë. “Ne e dinim kë kishim përballë. Edhe pse pjesa e parë u mbyll në favorin tonë, ne e dinim që Tirana do të sulmonte dhe u tërhoqëm pak pas. Ne kemi luajtur të barabartë me Tiranën. Kjo tregon se skuadra ka grintë e forcë. Më vjen keq, sepse ndeshja duhej të mbyllej me fitoren tonë. Kam mendimin tim për 11-metërshin, por e gjykojnë të tjerët. Unë jam i kënaqur nga loja e skuadrës që edhe me mungesa po ia dalim. Them se jemi në objektivin tonë, pesëshen e parë të grupit B”, mbylli Kulli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *