Tekniku serb analizoi situatën te kampionët dhe theksoi se në Laç fitorja është detyrim, por nëse fitohet edhe në Korçë, atëherë situata kthehet në normalitet
Jurgen Zela
Në mimikën e Mlladen Milinkoviç dallohej qartë presioni. Trajneri serb mori përgjegjësinë e ecurisë së Kukësit, por presidenti Safet Gjici ia besoi sërish pankinën dhe në klub pati një analizë të thellë. Në klub kishte dyshime nëse ndokush duhet të fliste për mediat, por ndodhi që u njoftua se tekniku serb do të dilte para mediave. Milinkoviç kaloi në “lupën” e tij çdo gjë që po ndodh me Kukësin e tij, problematikat dhe theksoi se besimi te skuadra e ka mbajtur aty, ndryshe do kishte ikur. Objektivi i parë janë gjashtë pikët në ndeshjen me Laçin dhe Skënderbeun, të dyja në transfertë. Se me çfarë misioni kemi të bëjmë, këtë e dinë të gjithë…
Profesor, një humbje ndaj Partizanit që ju kushtoi shumë. Çfarë prisni të ndryshojë tani pas gjithë ngjarjeve?
– Sigurisht që nga kjo humbje, jo vetëm që nuk na erdhi mirë, por na dëmtoi. Nuk e prisnim të kishim një rezultat të tillë. Bëmë analizën dhe veçuam ku ishin gabimet tona dhe nga erdhi humbja. Duam ta harrojmë sa më shpejt këtë humbje, por njëkohësisht të mos harrojmë gabimet e bëra në këtë ndeshje dhe të arrijmë që në Laç të marrim fitoren.
Pas ndeshjes me Partizanin, deklarata që nuk do jemi më trajneri i Kukësit para lojtarëve ka qenë emocionale, apo e menduar mirë?
– Unë personalisht nuk kam folur me lojtarët pas ndeshjes dhe nuk kam dhënë ndonjë deklaratë. Në atë që thashë para kamerave, thashë që isha përgjegjës për humbjen,m për këtë ecuri, dhe do të flas me presidentin. Deshëm të merrnim një vendim që do të ishte për të mirën e Kukësit, unë nuk shoh vetëm anën time në këtë çështje. Unë e di që nga dita e parë që kam ardhur te Kukësi që kemi një president serioz që beson tek unë. Gjithashtu, përgjegjës kur një ekip nuk ecën mirë është trajneri dhe unë nuk doja të përfitoja nga ai besim, prandaj edhe fola me të
Pse mendoni se ka kaq shumë presidenti Gjici te ju?
– Unë kam biseduar me presidentin dhe tani e njohim njeri-tjetrin, krijuam një besim, por nuk jam aq naiv. E di se po nuk ecën rezultatet nuk është më çështje besimi. Po nuk pati rezultate të mira në vazhdimësi vjen një moment dhe nuk mund të vazhdohet më, pasi në këtë mënyrë dëmtohet Kukësi. Kjo nuk ndodh vetëm te Kukësi dhe në Shqipëri, shikoni emra të mëdhenj, trajnerë shumë më të mirë se unë, të cilët ose shkarkohen, ose dorëhiqen. Nuk është se nuk janë trajnerë të mirë, apo nuk kanë besim ata që i afrojnë, por kjo është puna e trajnerit, ka presion dhe nëse nuk e mban atëherë… Ajo që ka rëndësi për mua është se nuk kam humbur besimin te lojtarët e mi. Nëse nuk do kisha besim tek ekipi, tek lojtarët, tek i gjithë stafit, atëherë do ia thosha presidentit dhe do ikja. Nuk është për t’u justifikuar, por po krijojmë shumë raste dhe po shpërdorojmë, nuk i finalizojmë. Në ndeshjen me Partizanin, në pjesën e dytë për 52 sekonda kishim dy raste të pastra dhe nuk shënuam, ndaj edhe u penalizuam. Nëse do kishim shënuar dhe do e kishim përmbysur rezultatin në 3-2, tani do flisnim krejt ndryshe. Por në futboll kështu është, ai që shënon më shumë gola, ai fiton.
Pesë ndeshje pa fitore, ndërkohë që presidenti Gjici iu ka vendosur si objektiv 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme. Si është gjendja e skuadrës në aspektin psikologjik dhe a ka një formulë trajneri për ta kaluar këtë situatë?
– Plani është që në dy ndeshjet e ardhshme të mundohemi të marrim 6 pikët. Jam i sigurt, se nëse në dy ndeshjet e ardhshme marrim pikët të plota, atëherë besoj se jemi brenda objektivave. Kemi punuar gjatë kësaj jave nga ana psikologjike me lojtarët, që të mos e humbasin ata besimin te vetvetja dhe tek ekipi. Besoj se edhe ata e kanë kuptuar shumë mirë gjendjen ku jemi, ndaj besoj do rikthehemi te fitoret, pavarësisht se kemi një ndeshje të vështirë përpara.
Pse Kukësi nuk ka rezultatet e kërkuara deri më tani dhe si mendoni se do rregullohen gabimet e deritanishme?
– Tani po të shohim 11 javët e kaluara, shohim se kemi pësuar shumë gola. Për një ekip që pretendon të jetë kampion janë shumë gola të pësuar. Kur pëson shumë gola mendimi i parë që të shkon në mënje është se nuk shkon diçka në mbrojtje. Kemi bërë një analizë të hollësishme për golat e pësuar deri më tani. Ç’është e vërteta, ne po pësojmë gola shumë të lehtë, por nuk është vetëm mbrojtja që ka faj. Besoj se edhe në mesfushë kemi pasur probleme, nëse do kishim luajtur me më shumë agresivitet do kishim pasur dhe më pak probleme në mbrojtje. E dyta është se humbasim shumë raste të pastra shënimi. Vazhdimisht gjendemi në avantazh dhe e humbasim gjatë vazhdimit të lojës. Me Flamurtarin, pasi ishim në avantazh 1-0, në pjesën e dytë kemi humbur 2 raste të pastra shënimi. Gjithashtu me Kamzën, para se të shënonim golin e parë kishim 2 raste të pastra. Këto ndikojnë, pasi ndryshe është kur je në avantazhin e dy golave.
Jeni të kënaqur me rendimentin e Allës dhe Alijev?
– Gjëja më e lehtë për një trajner është që të fillojë dhe të vërë viza te lojtarët, por unë asnjëherë nuk e kam bërë këtë. Nëse një lojtar nuk luan mirë, ka përgjegjësi edhe trajneri. Të gjithë e dinë vlerën e Allës dhe çfarë lojtari është. Mbase tani nuk është në formën e duhur, por duhet që të gjithë ta ndihmojmë që të vijë në formën maksimale. Sa i përket Alijev, shumë herë e kam thënë se është lojtar i mirë dhe të jeni të sigurt që është shumë më i mirë nga sa ka treguar deri tani në ndeshje. Kam thënë se disa lojtarë vijnë nga një shtet tjetër dhe disa ambientohen shpejt, disa më ngadalë. Një tjetër gjë është që nuk flet gjuhë tjetër, flet vetëm gjuhën mëmë dhe turqisht. Asnjëri nga ne nuk i flet këto dy gjuhë. Është ndryshe kur komunikon dhe mund të shprehesh më lirshëm dhe të futet më shumë në grup. Është punë e tij të japë maksimumin të na ndihmojë dhe ta ndihmojmë edhe ne të ambientohet sa më shpejt, jo vetëm ai, por çdo lojtar duhet të jetë i përqendruar të stërvitet mirë dhe të japë maksimumin në fushën e lojës…
A do ketë ndryshime në formacion dhe çfarë niveli vështirësie pret në ndeshjen me Laçin, ku vitet e fundit Kukësi s’ka fituar?
– Ne e kemi ndjekur në shumë ndeshje Laçin, ata kanë një ecuri shumë të mirë sivjet. Kanë një fushë të fortë dhe siç thashë në fillim nuk do të jetë e lehtë. Di të marrë rezultate, pavarësisht nëse luan mirë apo keq. Kanë disa lojtarë shumë të mirë dhe të rrezikshëm. Ne nuk kemi mundësi të tjera, veçse fitores. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht. Në lidhje me formacionin do të shihet në momentin e ndeshjes, tani nuk e japim formacionin, edhe pse e dimë kush do luajë.
Do e keni grupin të plotë, që e keni dashur që në fillim?
– Besoj se do jemi të gjithë gati, i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion deri tani. U rikthye edhe Koliçi sot në stërvitje, pasi mungonte me Partizanin.
A ju sjell trysni objektivi për gjashtë pikë në dy ndeshje?
– Si me trysni, si pa trysni, janë ndeshje që duhet t’i fitojmë. Nëse nuk ndodh atëherë distanca do zmadhohet dhe atëherë dalim jashtë objektivave. Megjithëse ka akoma kohë që të rikuperohen pikët, por duke ecur në vazhdimësi javë pas jave mundësitë e rikuperimit të pikëve zvogëlohen. Ka kohë, ka ndeshje, janë akoma pikë deri në fund të kampionatit. Nuk i dihet, pasi mund të marrësh edhe 8,9 ose 10 fitore radhazi, por ne duam të fitojmë tani edhe për anën psikologjike, por edhe për të ngushtuar diferencën.