Useini: Flamurtari e fitoi ndeshjen, të shohim përpara!

Mesfushori i vlonjatëve thekson se skuadra e tij përballoi shumë mirë një kundërshtar si Skënderbeu, madje duke e dominuar gjatë pjesë së parë

Elton Nika

Flamurtari kishte një mundësi të mirë për të marrë 3 pikët të enjten, kur fitorja do ta kishte bashkuar me Kukësin e vendit të dytë. Vlonjatët ishin në avantazh deri dy minuta para fundit të ndeshjes, por u barazuar nga Skënderbeu dhe mbeten në të njëjtat pozita në klasifikim. Polemikat për gjykimin kanë vazhduar, por lojtarët mundohen të jenë sa më të përqendruar tek ajo që skuadra jep në fushën e blertë.

USEINI – Mesfushori i Flamurtarit, Muhamet Useini, e vlerëson ndeshjen ndaj Skënderbeut si një nga më të mira në këtë kampionat dhe shprehet se nuk është e drejtë që rezultati u ndikua nga të tjerë faktorë. Lojtari pati shumë punë në pjesën e dytë të ndeshjes, pas zëvendësimit të Sidibesë, ndërkohë që Pollozhani mungonte për arsye kartonësh. Shqiptaro-maqedonasi beson shumë te vazhdimësia, duke nisur nga ndeshja e radhës me Lushnjën.

Edhe pse nuk ka dashur të bëjë shumë komente mbi gjykimin, Useini e pranon ndikimin direkt të tij, por kërkon që vëmendjen ta hedhë te transferta e Lushnjës: “Ishte një ndeshje mjaft e vështirë, – shprehet mesfushori. – Kemi të bëjmë me Skënderbeun, që ka një ekip të mirë dhe këtë e ka treguar edhe në Europë. Ne bëmë një ndeshje të mirë, duke dominuar totalisht pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë kemi pasur mundësitë tona, madje kemi shënuar edhe golin e dytë. Skënderbeu mbetet një nga ekipet më në formë të kampionatit dhe padyshim që përballja ishte e rëndësishme dhe e vështirë. Më erdhi keq që nuk fituam edhe për tifozët, të cilët dua t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë 90-minutëshit. Ishin fantastikë në çdo moment. Edhe pse ndeshja doli barazim, mendoj se ne e fituam atë dhe festuam bashkë me tifozët. Vazhdojmë përpara, nuk kemi çfarë të bëjmë. Mua nuk më përket të flas për gjykimin, por duhet parë goli që na është anuluar dhe një penallti që na mungon. Nuk është hera e parë kundër nesh. U bënë disa ndeshje, ku kemi pasur ndikime nga gjyqtarët në rezultatet tona. Këto raste janë bërë shumë. Kemi transfertën me Lushnjën përpara dhe duhet të përgatitemi maksimalisht, sepse duhet të shkojmë të fitojmë atje. Do të luajmë shumë shpejt dhe na duhet fitorja. Jam i bindur se skuadra i ka të gjitha mundësitë të marrë 3 pikët në çdo fushë. Tani mendojmë vetëm për Lushnjën”, – përfundon mesfushori me shumë përvojë i Flamurtarit, i cili është një titullar i padiskutueshëm i formacionit të trajnerit Duro.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *