Absurditeti/ Nga Shqipëria në Kosovë, 91 gola në tre ndeshje femrash

UEFA ka vite që ka detyruar federatat kombëtare që të krijojnë kampionat femrash dhe të investojnë për të afruar sa më shumë vajza të reja te futbolli. Shumë shtete të Europës janë në pararojë, me rezultate të shkëlqyera dhe paga fantastike, aq sa tashmë shumë kampionate janë kthyer në profesionistë.

E kundërta ndodh në Shqipëri dhe Kosovë, ku kampionatet janë amatorë, luhet për qejf, pa infrastrukturë e pa kushte, pa paga ose me paga minimale.

Dje në Shqipëri u regjistrua një rezultat anormal, si shpesh në futbollin e femrave, sepse Kinostudio, skuadër që do të rivalizojë Vllazninë këtë sezon, fitoi 27-0 ndaj Bilisht Sportit, në një ndeshje qesharake, me një gol çdo 3 minuta. Edhe në të shkuarën ka pasur rezultate të tilla, sidomos nga Vllaznia, që ka vite që dominon dhe është i vetmi klub, së bashku me Kinostudion, që i paguajnë, qoftë edhe me shuma modeste, futbollistet. Ka vetëm ekipe të para, pa ekipe moshash, pa seli klubi e stërvitje ku të munden, nëpër fusha kalçetoje kryesisht.

Diskutim i njëjtë edhe në Kosovë: KFF Mitrovica ka arritur fitore të thellë ndaj KF Lirisë, duke e mposhtur 26-0. Një vit më parë Hajvalia kishte vënë rekord të ri në futbollin e femrave me fitore 21-0, ndërsa tani mitrovicaset e përmbysin atë rekord, duke shënuar fitore për t’u mbajtur në mend, ku Rexha e Kryeziu shënuan nga 8 gola.

Nuk mbaron me kaq: sot është arritur edhe rezultati më i thellë ndonjëherë në futbollin mbarëshqiptar. Klubi i futbollit të femrave, Hajvalia ka masakrakuar në gola rivalet e Vizionit nga Ferizaj ,duke i mposhtur 38-0, me 18 gola nga Zelfije Bajramaj. Në fund Hajvalia edhe ka festuar gjatë, por a ia vlen? Kundër kujt fituan, a kemi futboll serioz dhe organizim, sa vjeç ishin vajzat përballë tyre?

Rekord i paarritshëm në futbollin kosovar, përfundon ndeshja 38-0 dhe futbollistet dhurojnë spektakël pas fitores madhështore (Foto/Video)

 

A është për t’u gëzuar e për t’i përgëzuar vajzat për fitore të tilla? Jo, e vërteta është se disa skuadra ekzistojnë thjesht në letër, duke mos bërë as stërvitje e duke mos seleksionuar vajza që në moshë të vogël,  për t’i rritur e për t’i bërë pse jo edhe profesioniste, me stimul financiar dhe të ardhme të sigurt. Federatat dhe qeveritë nuk e dinë fare që ekziston futbolli i femrave, investimet janë zero dhe shohim të tilla rezultate, ku praktikisht është vetëm një skuadër në fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *