Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ishte mjaft nervoz gjatë ndeshjes, ndërsa pas saj kishte ankesa për gjykimin, ashtu si për faktin se u luajt pa tifozë.
“Në pjesën e parë patëm mundësitë tona, Kukësi luajti në kundërsulm dhe shënoi duke shfrytëzuar një situatë të favorshme. Me ndryshimet e bëra, skuadra reagoi mirë dhe jam i kënaqur me paraqitjen.
“Goli i anuluar Mustës në fund? Po të shënohej në Kukës, nuk kishte shans të anulohej. Musta vjen nga shtylla e dytë, nuk ka prekur top. Megjithatë, nuk ka rëndësi ky moment, ka shumë të tjerë më të rëndë, nga golat e anuluar, penalltitë e padhëna, dënimi i fushës, e të tjera. Nëse do të gjykoheshim drejt, do të ishim pranë Skënderbeut, edhe pse Skënderbeu është më lart në shumë drejtime dhe nuk po them që do të konkurronim për kreun.
“Zhufo në stol, zgjedhje apo ndëshkim? Është thjesht zgjedhje teknike, përndryshe nuk do ishte fare në fushën e lojës.
“Niveli i rivalëve pas fazës së parë? Të gjithë rivalët janë mjaft të vështirë, është një kampionat shumë i ekuilibruar. Jam i kënaqur me renditjen dhe skuadrën, edhe pse e përsëris që me arbitrime më të drejta do të ishim më lart.
“Partizani dhe ndryshimi në stol, me rokadën Juliano-Starova? Më erdhi keq për Julianon, ashtu si për çdo trajner kur lagrohet. Megjithatë, ishte një situatë që ishte mjaft negative dhe një trajner shqiptar do të largohej më herët. Drejtuesit shqiptarë tregohen më të matur dhe u japin më shumë kohë trajnerëve të huaj. Për zgjedhjet e tjera është vendim i drejtuesve, nuk kam çfarë të komentoj”.