Ballshiotët mundin bardheblutë, duke u bërë skuadra e parë që ndëshkon Tiranën dhe i shënon gol këtë sezon Ilion Likës
Olsi Avdiaj
Tirana dorëzim pa kushte para Bylisit! Stavri Nica dhe skuadra e tij (këtë herë Bylisi) mund për herë të dytë Ze Marian dhe Tiranën. Në një ndeshje të dominuar totalisht nga Bylisi, Tirana shfryhet si tullumbace. Një 0-1 i thatë në “Selman Stërmasi”, që sjell “në këtë botë” Tiranën e Refik Halilit, Ze Marias dhe milionave të shpenzuara. Një ndeshje për turp e bardhebluve, që në 90 minuta nuk bënë dot asgjë. Nuk reaguan, as pas golit, as nuk tentuan të bënin diçka. Patën shumë pak raste, por ajo që shqetësoi më shumë ishte fryma që ekipi shfaqi gjatë 90 minutave dhe forca që tregoi para një kundërshtari real si Bylisi, duke bërë që gjashtë fitoret e deritanishme të shumëzohen me zero.
Bylisi e Nica kanë meritë të jashtëzakonshme, pasi mundën skuadrën favorite dhe mbajtën të hapur grupin B, duke treguar edhe një herë se nuk ka favoritë në Kategorinë e Parë dhe sytë ndonjëherë t’i nxjerr ai që s’ta pret mendja.
Pjesa e parë – Ze Maria nisi ndeshjen me skuadrën e njëjtë këto pesë javët e fundit. Në 11-she kthehej Turtulli pas dëmtimit të një jave më parë. Te Bylisi, Nica kishte zgjedhur më të mirët. Dhe që në fillim, duket qartë se Tirana nuk do të “qulloste” gjë në këtë ndeshje. Sindroma e 20 minutave u zgjat edhe më shumë, ndërsa në pjesën e parë rastet për gol i pati Bylisi me Zisin e Vatnikajn. Në minutën e gjashtë, Zisi ekzekuton një goditje dënimi, por Lika çon topin në goditje këndi. Aksioni i ballshiotëve nuk ka mbaruar ende, sepse Shoshi lëshon një top nga këndorja, gjuan me kokë një nga afrikanët dhe sërish grushton Lika. Aty pranë Vatnikaj lëshon një predhë, topi godet traversën e sfera bie në tokë, por nuk është gol. Protestojnë ballshiotët, por gjyqtari është i palëkundur në vendimin e tij. Në minutën e 30-të vjen rasti i parë për bardheblutë, me Hoxhallarin, që godet diagonal brenda zonës, ndërsa Xhorxheviç grushton topin dhe rezultati mbetet i bardhë. Në mes të pjesës së parë, tjetër sulm i ballshiotëve. Top për Vatnikajn nga e majta në të djathtë. Sulmuesi pengohet nga mbrojtësit e Tiranës te bashkimi i dy vijave të 16-shes. Për gjyqtarin goditje dënimi, ndërsa pamjet filmike tregojnë se lojtari ishte brenda në zonë. Gjithsesi, ekipi mik dhe Tirana mundohen të afrohen te porta, me Bylisin shumë më të qartë në lojë. Rastin e fundit të pjesës së parë e ka Tirana me Karabecin, që pason shkurt te Doka. Mesfushori godet menjëherë, ndërsa topi shkon në zonë, aty ku Ngo godet me kokë, por sfera shkon mbi tra.
Pjesa e dytë – Edhe në pjesën e dytë ata që dominojnë lojën janë miqtë, ndërsa Tirana zëre se është shëtitje dhe nuk e ka mendjen te loja. Në minutën e 56-të Limaj provon nga 25 metra me një goditje dënimi, por vetëm fundore. Dy minuta më vonë vjen edhe goli që ndan fatin e sfidës. Top që nga mbrojtja për Zisin, që çan përpara majtas sulmit, kalon të gjithë bardheblutë, të cilët qëndrojnë si “birila”, ndërsa lojtari fierak para Likës, e ka lojë fëmijësh të shënojë gol. 0-1 për Bylisin dhe Tirana e sheh veten për herë të parë në dizavantazh. Një dizavantazh që skuadra e Ze Marias, deri në fund të ndeshjes, nuk do ta kthejë dot. Nga minuta e 60-të deri në minutën e 85-të loja zhvillohet në mesfushë, me Tiranën, që nuk bën dot asnjë aksion të “hajrit”. Në fund të lojës provon Ngoja që nuk shënon dot. Bardheblutë kontestojnë një vendim të gjyqtarit në minutën e 88-të për një pozicion jashtë loje të paqenë të Halilit. Gjithsesi, Tirana ka shansin për të barazuar me Grecën një minutë nga fundi i lojës. Pas një krosi të gjatë, Ngo me spondë i jep një top Grecës pesë metra nga vija fatale, që me kokë godet, por Xhorxheviç pret në dy kohë. Rastet e tjera janë vetëm sulme dëshpëruese të bardhebluve që gjunjëzohen nga Bylisi brenda në “Selman Stërmasi”. Përfundimisht një Tiranë e shpërfytyruar humbet 0-1 në kryeqytet. Pëson humbjen e parë, golin e parë dhe nuk ia del dot të shkëputet e vetëm në krye grupit B. Meritë kjo edhe e Bylisit që nga sot e në vazhdim është “antagonistja” e Tiranës në Kategorinë e Parë, për një vend në Superiore.
Ze Maria: Ne ishim zero
Kritik trajneri brazilian i Tiranës që sheh karrigen t’i lëkundet edhe pse ka humbur vetëm një ndeshje
Paraqitje për turp. Kjo ishte Tirana e Ze Marias. Braziliani ka kritikuar ekipin, që sipas tij nuk bëri asnjë. Trajneri foli ashpër për veteranët dhe të rinjtë. Nga ana tjetër ai pranoi se Bylisi e meritoi fitoren dhe se skuadra e tij duhet të mësojë nga kjo humbje.
–Çfarë ndodhi sot mister…
Duhej kjo…
–Përse thoni kështu?
Sepse duhet të zgjohemi me patjetër. Një skuadër që do të fitojë titullin, nuk mund të prezantohet me këto kushte psikologjike në fushë dhe mbi të gjitha pa dëshirë. Paguam për atë që bëmë në fushë, pra ishim “zero”. Ata e nisëm mirë lojën, ndaj e kam thënë gjithnjë se duhet ta nisim ndeshjen më të përqendruar. Vazhdojmë t’i dhurojmë 20-30 minuta e para. Krijuan disa raste në të parën, ndërsa në të dytën për një pakujdesi u ndëshkuam. Dhe është e drejtë. Madje nuk mund të them asnjë më shumë për kundërshtarët, pasi luajtëm më mirë se ne dhe e merituan.
–Ju shqetëson fakti që Tirana sot shëtiste në fushë dhe nuk reagoi asnjë minutë…
E thashë. Për 90 minuta ne nuk bëmë asgjë. Një ekip si Tirana që do titullin, mbi të gjitha, nuk mund të luajë në këtë formë. Dhe këtë gjë duhet ta kuptojnë mirë lojtarët, të vjetër dhe të rinj. Kur zbret në fushë me fanellën e Tiranës, duhet të japësh më shumë se 100%. Një ekip që vrapon shumë, sikundër ndodhi sot (dje) me Bylisin, të vendos gjithnjë në vështirësi kur jep vetëm 60 apo 70 të forcave. Dhe fundi pastaj, është i pandryshuar. Humb ndeshjen.
–Çfarë nuk shkoi mirë?
Po e përsëris, asgjë. Nuk ishim kurrkund si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në sulm apo ndërtimin e lojës. Nuk bëmë atë që prisja. Ndaj e merituam humbjen dhe shpresoj që të reflektojnë, pasi që të ngjiten në Superiore, duhet të bëjnë shumë më shumë.
–Bylisi ju frikëson. Jeni vetëm +3 nga vendi i dytë?
Objektivi mbetet njësoj. Lojtarët e dinë se sa pikë duhet të lëmë dhe jemi ende brenda planifikimeve të bëra në fillim të kampionatit. Ndaj nuk ka asgjë absurde. Humbëm një ndeshje, por kemi fituar gjashtë. Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, ndaj synimet nuk ndryshojnë.
–Çfarë u thatë lojtarëve në dhomat e zhveshjes?
Jo, nuk fola sot (dje). Gjëja më e mirë është që të mos flasësh kur je i mërzitur. Ndaj do flasim të martën, me mendje të freskët dhe të qetësuar. Por ata e dinë se mentalitetin tim dhe formën time të të menduarit.