Prisnim dhe shpresonim shumë, Skënderbeu na kishte dhënë arsye, realisht, prej kësaj vere. Humbëm, në Beograd, aty ku fitorja do shijonte si ngritja e Champions League. E megjithatë, ishte një humbje që nuk duhet të na dëshpërojë, edhe pse dukej si përballje Serbi-Shqipëri, ndaj ishim përfshirë të gjithë emocionalisht. Realiteti është se humbja duhej llogaritur dhe pritur qetësisht, fundja Skënderbeu nuk është ende Partizani i Beogradit. Këto vitet e fundit klubi korçar është rritur jashtëzakonisht, është bërë profesionist në kuptimin e vërtetë të fjalës, por eksperienca nuk blihet dhe emri i madh krijohet me shumë durim e punë, ashtu si mentaliteti. Partizani i Beogradit është më përpara, në shumë drejtime, nuk është turp të të mundë. Ishte superior edhe në tribuna, sepse realisht tifozët serbë ishin të frikshëm, 90 minuta pa u ndalur. Ne nuk jemi ashtu, për fat të keq. Tifozët shqiptarë kanë mbetur pas, Skënderbeu ka ikur shumë më përpara.
Dje nuk pati fat, bëri edhe gabime, por është pjesë e procesit të rritjes, e të bërit klub europian dhe skuadër e madhe. Në fakt, e tillë është, aq sa duket shumë larg klubeve të tjerë shqiptare, por ky është faji i rivalëve në Superiore, që bëjnë një hap para e dy pas. Realisht, nëse një klub shqiptar shkon deri në nëntor duke luajtur në Europë, meriton duartrokitje, aq më shumë kur luan futboll, edhe kur humbet.