Administratori i Flamurtarit flet sërish për dënimin e Disiplinës. “Në stadium është shpalosur një banderolë civile, ironike labe, me aktorë labë dhe për këtë ndëshkohet një qytet i tërë”
Elton Nika
Dënimin e dhënë nga FSHF ndaj Flamurtarit, administratori i klubit vlonjat Sinan Idrizi e cilëson një penalizim ndaj një qyteti të tërë Në deklaratën e tij numri një i klubi vlonjat nuk ka nguruar që të jetë i ashpër disa herë në politikat dhe deklaratat e tij ndaj FSHF, teksa dënimi ka ardhur vetëm për shkak të shpalosjes së një banderole, që mbi të gjitha ishte vetëm ironizuese dhe asgjë më shumë se kaq.
“Kam qenë thjesht i drejtpërdrejtë në artikulimet e mia, por nuk mund te personalizohet një problem midis dy individëve kur ke të bësh me një qytet në mes. Rasti i parë në futbollin shqiptar, ku në stadiumin tonë është shpalosur një banderolë civile, ironike labe, me aktorë labë dhe për këtë ndëshkohet një qytet i tërë. Për këtë fakt unë duhet të hesht. Në komunizëm ka pasur një nen ku dënoheshe për agjitacion dhe propagandë, por madje në komunizëm, një batutë e tillë u lejua në filma. Sot vjen një kohë kur një person për shkak të kapricios së tij, apo për shkak të miopisë së tij, ndëshkon një qytet të tërë, një qytet që jeton me sportin, jeton me futbollin, me një ekip që ka nisur të ringrihet dhe ne i mbyllim dyert. Pra kemi një stadium, të cilin ne e mbyllim, i vendosim telat me hekura, kemi një stadium në Shqipëri që e quajnë tashmë zonë e ndaluar. Pra kemi një stadium, të quajtur zonë ushtarake, kemi 10 mijë tifozë që nuk kanë ku të shikojnë ndeshjen, kemi djemtë e “Flotës Kuq e Zi” që janë në stadium në këtë moment dhe nuk kanë ku të shohin ndeshjen. Ju thoni që tani ky Flamurtar, ky stadium hyn në një zonë të ndaluar dhe për këtë qëllim unë duhet të hesht. Jo, jo, kështu nuk shkon. Kemi një ngjarje për atë çfarë ndodhi në një ndeshje, por kemi edhe një vendim të paprecedent në futbollin shqiptar. Kemi në çdo ndeshje të kampionatit shqiptar, që pothuajse shahet nga fillimi deri në fund. Tani “Big Brother” me lupën e tij shikon çdo gjë vetëm tek Flamurtari, deri edhe në detajin më të vogël, edhe batutat me të thjeshta. Gjej rastin që të falënderoj të gjithë ata që kanë reaguar në mënyrë civile, duke nisur nga Sokol Kushta, Ruci, Çipi e të tjerë, këta që i dhanë ngjyra fanellës, me të cilët ne krenohemi pikërisht sot. Nëse nuk do të kishin reaguar këta, atëherë do të ishte diçka tjetër, por unë këtë reagim e kam si Idrizi. Jemi në një moment kur skuadra po ringrihet, po ecet përpara dhe vjen ky dënim absurd dhe mjaft tendencioz. Unë këtë mënyrë kam për të reaguar”, deklaron administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi.
PËRGATITJET
Flamurtari ka vijuar përgatitjet për takimin me Kukësin. Stërvitja e djeshme është kryer në fushën sportive të Pyllit të Sodës, aty ku po vijohet të punohet me ritëm të lartë. Grupi ka qenë i plotë, ndërsa për këtë takim, veç Franc Veliut të dëmtuar mungon për shkak pezullimi edhe mesfushori Lansinet Sidibe, titullar në takimet e deritanishme me vlonjatët.