Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, është shfaqur sot para gazetarëve, për të folur në prag të sfidës që Kukësi do të luajë të dielën në Kukës, ndaj Vllaznisë. Përballë do të jetë trajneri Ernest Gjoka, kampion sezonin e shkuar me Kukësin, por Milinkoviç nuk e sheh si një sfidë të veçantë kundër pasardhësit të tij. Sipas serbit, Kukësi ka problem madhor mungesat në këtë moment, por po merr rezultate dhe synimi është që të ruhet ky ritëm deri në dhjetor, pasi më vonë mund të ketë përforcime.
Sfida ndaj Vllaznisë – “Nuk është një sfidë me Gjokën. E shoh si një koleg të suksesshëm, i cili sezonin e shkuar bëri maksimumin dhe doli kampion. Edhe tani që është bërë trajner i Vllaznisë nuk ka ndryshuar gjë në planet tona, do të jetë një ndeshje normale, ashtu si ishte para se të shkonte Gjoka aty. Edhe në ndeshjen me Luftëtarin luanim ndaj një rivali që sapo kishte ndërruar trajner dhe nuk ishte e lehtë, përtej rezultatit, ndaj e kemi vlerësuar në maksimum sfidën ndaj Vllaznisë, sepse ndërrimi i trajnerit sjell gjithnjë ndryshime. Vllaznia nuk ka shumë pikë, por ka luajtur mirë deri tani dhe kërkon pikë urgjentisht. Kukësi edhe sezonin e shkuar vuajti ndaj këtij kundërshtari, por me gjithë respektin për Vllazninë, ne duam të luajmë bukur dhe të marrim 3 pikët, nuk ka rëndësi a do të jetë e lehtë apo jo”.
Tifozët – “Ne fituam në Gjirokastër dhe më pritën mirë. Besoj se edhe Gjoka do të pritet mirë në Kukës. Jam i sigurt që do të jenë shumë tifozë, në mbështetje të ekipit”.
Forma e Kukësit – “E kam thënë shpesh që ende nuk jemi në formë optimale për të luajtur 90 minuta futboll të mirë. Kemi pasur shumë mungesa dhe nuk jemi ende në formë, ndaj e shoh të vështirë që të kemi të njëjtin ritëm gjatë gjithë takimit. Ajo që ka rëndësi është që të paraqitemi sa më mirë deri në dhjetor dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur”.
Rivalët – “Ne duhet të bëjmë detyrën dhe të marrim pikët tona, pastaj nëse ndonjë rival ndal Skënderbeun, aq më mirë. Rëndësi ka që të fitojmë ne, përndryshe është e kotë”.
Shtubina përballë Vllaznisë – “Nuk e di ende sa do të luajë, por nëse do të jetë nevoja, do të aktivizohet”.
Gjici – “Nuk ka kërkuar me çdo kusht 4 fitore, nuk e di nga ka dalë kjo histori. Ne pas çdo takimi vendosim objektiv të ri dhe në çdo ndeshje synojmë fitoren, pa menduar për sa fitore rresht do bëjmë. Së shpejti luajmë edhe në kupë, duam të fitojmë edhe aty, por ne duam të jemi të parët në fund të kampionatit dhe e rëndësishme është që të vijojmë me fitore deri në dhjetor dhe të na kthehen të dëmtuarit, si Shameti, Hallaçi, Zeqiri, Musolli apo Kërkotiç, që nuk është stërvitur dot këtë javë. Janë mungesa shumë të rëndësishme për ne”.
Raporti mes mbrojtjes dhe sulmit – “Nëse shohim statistikat, Kukësi vjet kishte më pak pikë dhe gola sesa sivjet. Vjet mbrojtja ishte e njëjta, nuk ka ndryshuar as këtë sezon. Edhe Luftëtari vjet, hiq ndeshjen e humbur 5-0 ndaj Flamurtarit, nuk pësonte shumë gola dhe shpesh penalizohej edhe nga mungesa e eksperiencës. Në 7 javë, Kukësi aktual ka pësuar gol vetëm në dy ndeshje dhe jam i sigurt që nëse nuk pësojmë gol, atëherë kemi aq cilësi përpara sa për të shënuar një ose dy gola, pasi synimi është natyrisht të shënojmë sa më shumë. Nuk jam ende i kënaqur nga loja jonë, sepse shoh që lojtarët kënaqen shpejt kur shënojnë një ose dy gola, ndërsa unë nuk kënaqem me pak”.
Dëmtimet e shumta – “Kjo gjë na shqetëson, por për shembull Shameti ka një dëmtim që nuk është ende i qartë kur e ka afatin e kthimit në fushë. Sa për Zeqirin, nuk duam të ngutemi, sepse u nxituam një herë, luajti ndaj Partizanit dhe e humbëm sërish, ndaj tani do ta presim. Musolli nuk ishte i dëmtuar, kishte një arsye tjetër shëndetësore, dje u stërvit dhe javën tjetër do jetë gati. Hallaçi nuk ka ndonjë dëmtim serioz, është dëmtim sipërfaqësor dhe po mundohemi të bëjmë kujdes që të mos dëmtohet më shumë”.
Formacioni – “E kemi të qartë cili do të luajë të dielën, por në varësi të ecurisë së ndeshjes, do të kenë mundësi të tregojnë sa vlejnë edhe disa lojtarë që duan të tregojnë se janë të aftë të jenë pjesë e formacionit”.