Nga Bakaj te Muzaka, më të mirët e Superiores janë si buka e vjetër

Kur në fushë diferencën e bën përvoja. Cilët janë deri tani lojtarët më të mirë të kampionati, futbollistët që edhe në të shkuarën kanë shkëlqyer në kampionatin shqiptar dhe po tregojnë se ndoshta jo vetëm që ende nuk kanë mbaruar, por përkundrazi janë më përcaktues se kurrë?

Dy ndër futbollistët më në formë te Skënderbeu dhe Kukësi që ndajnë dy vendet e para, janë Muzaka dhe Elis Bakaj. I pari ka luajtur në Superiore që në vitin 2001, ndërsa i dyti ka 12 vite që është protagonist në futbollin shqiptar. Bakaj është shënuesi më i mirë i kampionatit me 6 gola, ndërsa Muzaka ka qenë ndër më të mirët për korçarët si në Europë, ashtu dhe kampionat.

Ndërkohë, edhe te skuadrat ndjekëse njohjet e vjetra të kampionatit janë duke treguar se kjo është ligë shumë specifike. Bushiç, kapiteni i Flamurtarit, është në vitin e pestë që luan në Shqipëri dhe ka treguar se është shumë i rëndësishëm në vijën e parë, duke shënuar 5 gola dhe duke krijuar një repart më vete.

Ende pritet më shumë nga afrimet e kësaj vere në pothuaj gjithë skuadrat, por kjo është mbi të gjitha edhe çështje ambientimi.

Mos të harrojmë Stevan Raçiç: ka shënuar gjithnjë, kur luante te Partizani, është kthyer për Kamzën. Edhe aty po bën detyrën, gola e repart thuajse i vetëm. Thonë që është veteran, por po ta kishte Partizani, apo Vllaznia, në këtë moment, me siguri do kishin më pak halle e më shumë pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *