Ndeshje e çmendur në Prizren, ku u luajt ndeshja e parë e javës së 12-të në Superligën e Kosovës, derbi krahinor mes Lirisë e Vëllaznimit. Liria e drejtuar nga Bledi Shkëmbi kishte shansin të kapte përkohësisht kreun e tabelës dhe luajti një pjesë të parë fantastike, duke shënuar në minutën e 13-të me Korenicën nga pika e bardhë, ndërsa Artur Magani shënoi golin e dytë në minutën e 29-të. Dominim i Lirisë, që mund të shënonte sërish, por në pushim trajneri mik Ismet Munishi ndryshoi gjithçka, me zëvendësime dhe lëvizje taktike që dhanë fryte.
Pjesa e dytë ishte e tëra e Vëllaznimit, që në minutën e 65të shkurtoi nga pika e bardhë me Morinën dhe dy minuta më pas barazoi me Semir Zenelin.
Në fund Vëllaznimi pati raste të pastra, goditi edhe traversën me Paulo Ivanin, duke i shkuar pranë fitores. U mbyll 2-2, me Lirinë që shkon në kuotën e 19 pikëve dhe Vëllaznimin që ka dy pikë më pak.