Te meshkujt nuk kemi parë ndonjë ditë të bardhë në përballjet me Spanjën, ndërsa nesër e kanë radhën vajzat kuqezi 19-vjeçare të drejtuara nga Nevil Dede për të ndalur rivalet iberike, që duhet thënë se janë shumë herë më lart se ne. Spanja U-19 në futboll për femra është kampione Europe në fuqi, duke ngritur trofeun në gusht pas fitores në finale ndaj Francës, ndaj nesër në Durrës shanset për surprizë janë zero, edhe pse futbolli ka të papritura.
Megjithatë, është raundi i parë, me grumbullim pikësh, ndaj vëmendja e trajnerit Nevil Dede është kryesisht te dy sfidat e tjera, kundër Ukrainës të shtunën dhe kundër Azerbajxhanin të martën, gjithnjë në Durrës, ora 14.00. me Azerbajxhanin do të duhet të luftojmë për fitore, ndërsa me Ukrainën një barazim është perfekt, në teori, edhe pse Dede nuk bën llogari kualifikimi, por mbi të gjitha dëshiron që vajzat që ai drejton të vazhdojnë procesin e rritjes, të përballen pa frikë me kundërshtaret dhe të mësojnë e të grumbullojnë eksperiencë, për të qenë gati për Shqipërinë A.
Grup i vështirë, sa i njihni kundërshtaret?
Të jem i sinqertë, grupi është i vështirë. Kanë shumë vite eksperiencë krahasuar me ne. Spanja në tre edicionet e fundit të Europianit është finalist, në U-17 ishte finalist humbës ndaj Gjermanisë në muajin maj dhe ato vajza tashmë janë tek ekipi U-19. Ukraina është forcë e dytë e grupit, ka eksperiencë 10 vite më shumë se ne në futbollin e femrave, edhe në nivel moshash. Janë kundërshtarë të vështirë, por kemi një qëllim të caktuar, jemi një ekip që synim kryesor ka furnizim me lojtare cilësore ekipin A. Për momentin janë Uendi Muja dhe dy-tre lojtare interesante. Me trajnerin e Shqipërisë A Armir Grima kemi një bashkëpunim perfekt, kësaj radhe na ka toleruar, duke na lënë disa lojtare, edhe pse ka ndeshje sot në Skoci, sepse Shqipëria U-19 luan një aktivitet zyrtar në Shqipëri dhe paraqitja duhet të jetë sa më e mirë.
Objektivat në këto kualifikuese?
Janë pak të vështira për t’i shprehur e sqaruar. Së pari, ne do të pretendojmë të paraqitemi më mirë sesa sezonin e shkuar, kur dolëm të tretët, ku për herë të parë fituam një ndeshje dhe arritëm të mos dilnim të fundit në grup. Çdo vit synimi kryesor është të përmirësohemi dhe minimalisht të mos dalim të fundit në grup.
Si është bërë përzgjedhja e elementit dhe a është e favorshme koha në dispozicion?
Puna, investimet dhe mbështetja nga Federata është kolosale, shumë njerëz kanë udhëtuar dhe vëzhguar lojtare. Në sitë është ço lojtare, mosha zyrtare për kompeticionin është datëlindja 1999, por në këtë moshë kemi vetëm 6 lojtare. Nuk duhet të dorëzohemi, por varemi edhe nga klubet, koha që kemi në dispozicion. Kemi bërë stazhe stërvitore për të parë lojtaret, por shumë gjëra varen nga klubet, sa më serioze të jenë klubet, aq më mirë dhe më shumë futbolliste në dispozicionin tonë do të jenë. Koha në dispozicion të kombëtares para ndeshjeve është e kufizuar, e shumta 10 ditë para ndeshjeve. Mendoj se deri diku është bërë diçka, për dy vitet e ardhshme ekipi është më i plotë, duke alternuar vajza si Uendi Muja, që është kapitene dhe ka kohë këtu, ashtu edhe me vajza të reja debutuese. Vajzat kanë punuar, kanë vuajtur, janë lodhur, edhe janë zbavitur, sepse është pjesë e jetës. Ne do ta provojmë, çdo njeri ëndërron, ëndrrat janë falas dhe disa dalin e disa nuk dalin. Të shohim sa do t’ia arrijmë.
A mund të ëndërrojmë një rezultat të mirë ndaj Spanjës?
Duhet të jemi realistë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të pranojmë realitetin. Spanja është një kombëtare ku punohet dhe investohet shumë që në klube, duke bërë që në nivel moshash kombëtarja të ketë rezultate të shkëlqyera. Ne do të punojmë fort, do të mundohemi të luajmë të bashkuara, sa më shkurt në fushë, pastaj të shohim sa do t’ia dalim.
Cili është realisht motivimi i këtyre vajzave, thjesht të kapin kombëtaren A? Në disa shtete futbollistet e kombëtares paguhen nga federata, po këtu te ne, cili është synimi i ardhshëm, përtej mbushjes së CV-së?
Për momentin ka shumë vajza të talentuara, si Uendi e të tjera, që në momentin që arrijnë një nivel të caktuar, krijohet mundësia e transferimit në kampione të huaj. Kemi vajza që vijnë edhe nga jashtë, një nga Suedia e një nga Kanadaja, janë të datëlindjeve 2000 e 2001. Në kampionate të huaj natyrisht futbollistet paguhen, edhe nga kombëtaret, por janë pak ato kombëtare që aplikojnë pagën, vetëm shtete me emër të madh si Suedia, Norvegjia, Danimarka apo Gjermania. Disa shtete kanë nisur të investojnë, ndërsa vende të tjera operojnë në mënyrë gjysmë-amatore, duke vendosur një pagë bazë dhe më pas duke i ndihmuar me shkollimin apo sponsorë. Në Shqipëri është rritur shumë numri i klubeve që merren me futbollin e femrave, sidomos pas Euro 2016 kur shkuam në Europian.
Gjendja e lojtareve dhe puna në nivel klubesh?
Talentet nuk mungojnë. Ka disa klube si Vllaznia, Juban Danja, së fundi Pogradeci e Bilishti, pra po bëhet një punë gjithnjë e më e madhe. Vllaznia e disa klube punojnë përditë, edhe pse në Tiranë është problem mungesa e terreneve, por po punohet shumë më tepër se disa vite më parë. Para tre vitesh, kur nisa punë, niveli ishte shumë më ndryshe dhe janë hedhur hapa të mëdhenj përpara, ndaj shpresojmë të kapim minimalisht vendin e tretë në grup.
Muja: Jemi një grup i bashkuar, shpresoj të kemi pak fat
Kapitene e Shqipërisë U-19 dhe imazhi i kombëtares kuqezi, Uendi Muja vazhdon të shkëlqejë me Vllazninë dhe është pjesë e kombëtares A, por natyrisht për moshën e re që ka nuk mund të mungojë në ndeshjet zyrtare të Shqipërisë U-19. Për shkodranen prioritet është fryma e grupit, për ndeshjet e radhës: “Pika jonë me e fortë është grupi. Fryma në skuadër është shumë e mirë dhe ne do të mundohemi të japim maksimumin. Është një grup i vështirë, por do të përpiqemi të bëjmë sa më mirë, si grup”. Në lidhje me modulin e lojës: “Atë e shohim në stërvitje, gjatë javës me trajnerin. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin në lidhje me skemat që zgjedh trajneri”. Pas dy golave në miqësore ndaj Bosnje-Hercegovinës, Muja shpreson të përsëritet: “Unë shpresoj, do të jap gjithçka nëse do të më jepet mundësia dhe nëse do kemi pak fat, shpresoj të shënoj përsëri dhe të ndihmoj kombëtaren”.