Lojë, gola, penallti të humbura: gjithçka është parë sot në Krujë, në sfidën mes Kastriotit e Korabit, e fundit për javën e pestë në Kategorinë e Parë.
Kastrioti favorit bëri detyrën, duke fituar 3-1, në një ndeshje ku në fakt krutanët krijuan raste pa fund dhe mund të shënonin edhe disa gola të tjerë.
Më i miri në fushë ishte shkodrani Dyca, vendimtar për Kastriotin, me golat në minutat 3 e 29, ndërsa në minutën e 75-të dha asist për golin e tretë, të Mziut.
Korabi bëri shumë pak për të merituar pikë, shënoi një gol në minutën e 61-të me Redon Razën dhe për pak shpresoi te surpriza, por goli i Mziut ia shoi shpresat, ashtu si bëri Majkëll Peçi në minutën e 79-të, i cili gaboi keqas një 11-metërsh, duke e çuar jashtë. Një penallti e humbi edhe Kastrioti në minutën e 28-të, kur Malindi u ndal nga Elidon Selaci.
Fitorja rikthen Kastriotin në krye të grupit A, me 13 pikë, një më shumë se Besa, ndërsa Korabi është i shtati, me 5 pikë.