Sipas brazilianit, skuadra po e bën rrugë nisjen e ndeshjes me ritëm të ulët dhe kjo situatë duhet të ndryshojë
Olsi Avdiaj
Trajneri i Tiranës, Hoze Ferreira Ze Maria, nuk është shfaqur i kënaqur me lojën e skuadrës. Ai u ka kërkuar djemve që të luajnë më mirë dhe të mos bien pre e qetësisë në këtë kategori. Sipas brazilianit, skuadra po e bën rrugë nisjen e ndeshjes me ritëm të ulët dhe kjo situatë duhet të ndryshojë. Fjalë pozitive për rezultatin, që sipas konsolidon skuadrën në krye të renditjes së grupit B.
-Një tjetër fitore.
Një tjetër fitore e vështirë, sepse gjetëm një kundërshtar të fortë që u mbyll mirë. Në pjesën e parë ishim shumë të avashtë. Patëm probleme dhe ishim të parashikueshëm. Të gjitha këto defekte duhet t’i përmirësojmë. Të gjitha ndeshjet i nisim me të njëjtin ritëm. U japim shumë liri kundërshtarëve për të luajtur dhe për t’u mbrojtur.
-Asnjëherë nuk kënaqesh?
Kur një trajner ulet dhe kënaqet, atëherë për të ka mbaruar gjithçka. Unë duhet të ndryshoj gjërat, duke filluar që nga gabimet. Duhet të kërkoj më të mirën, sepse e di se çfarë mund të më japin këta djem. Prandaj jam gjithmonë i pakënaqur. Sigurisht më lumturon rezultati. Kemi fituar një tjetër takim. Jemi të parët, kemi marrë gjithë pikët dhe nuk kemi pësuar gol, por skuadra jonë me atë kualitet duhet të bëjë më shumë.
-Keni një objektiv për dy fazat e para?
Objektivi ynë është që në dy fazat e para, ku janë 18 ndeshje të marrim një sasi të caktuar pikësh. Dimë sa pikë mund të grumbullojmë dhe ku mund të lëmë pikë. Djemtë e dinë gjithë panoramën e situatës dhe duhet të jemi në renditje sa më lart të mundemi, që të luajmë fazën e tretë sa më të qetë.
-Sa pikë dhe ku mund të lërë pikë Tirana?
Ky është një sekret skuadre. Duhet të arrijmë sa më shumë maksimumin që kemi si objektiv. Maksimumi që mund të marrim është 54 pikë. Kemi marrë 30 % të pikëve, kështu që jemi të qetë nga njëra anë dhe duhet të punojmë nga ana tjetër. Jemi në rrugën e duhur edhe pse duhet të arrijmë objektivin që u kemi vënë djemve.
-Krahët nuk është se po shtyjnë?
Krahët jo se nuk shtyjnë, por duhet të kërkojnë, kohën. Shtyjnë dhe krosojnë, por ndonjëherë nuk gjejmë kohën e duhur. Këto janë detaje të vogla që duhet t’i përmirësojmë.
-Pas këtyre javëve, Tirana e ka treguar se nuk është për këtë kategori?
Na takon neve për të vërtetuar që jemi një skuadër jo për këtë kategori. U kam thënë edhe sot djemve që ne jemi në këtë kategori. Duhet ta fitojmë që të tregojmë se jemi larg kësaj kategorie, kështu që është ende shpejt për të treguar veten tonë. Kemi fituar vetëm pesë ndeshje, por duhet të luajmë edhe 16-të të tjera. Ne duhet të mundim kundërshtarët, kjo është ajo që na kërkohet.
-Si e sheh klubi këtë Tiranë?
-Komentet janë pozitive nga ana e shoqërisë. Kemi fituar të gjitha ndeshjet. Për veten duhet të pyes presidentin, gjithsesi janë pozitive. Puna e trajnerit matet nga rezultatet. Kemi fituar tetë ndeshje nga tetë takime. Ky ishte objektivi ynë i madh. Unë nuk mund të mendoj se çfarë mund të ndodhë pas dy muajsh. Kemi një ndeshje tjetër të shtunën dhe mendojmë vetëm për të.
-Mund të luajë Tirana me skuadrën e dytë në një ndeshje të Kategorisë së Parë?
Nuk kam një skuadër titullare dhe një rezervë. Kam një ekip ku luajnë të gjithë. Zgjedh gjithmonë më të mirët, por shumica e tyre luan. Të gjithë futbollistët kanë luajtur, sigurisht jo bashkë, por kanë zbritur të gjithë në fushën e lojës.
-Mauexhe e Binguila?
Mauexhe ishte vetëm të premten në stërvitje. Është gati për këtë ndeshje që do të luajmë të shtunën tjetër. Binguila mund të kthehet në stërvitje pas javës së Tomorit. Për të luajtur duhet pritur nëntori më saktë mesi apo fundi i muajit nëntor. Për kupë mund të jetë gati.