Milinkoviç në Gjirokastër, me skemën e Luftëtarit

Verilindorët do të hedhin formacionin më sulmues të mundshëm në transfertën me Luftëtarin. Alijev, Bakaj, Guri, Kale dhe Ethemi për fitoren e tretë radhazi

Jurgen Zela

Verilindorët do të sfidojnë nesër Luftëtarin në transfertën gjirokastrite. Kampionët synojnë të marrin fitoren e tretë radhazi në këtë kampion. Sezonin e shkuar, pikërisht në javën e fundit këto dy skuadra u ndeshën në stadiumin e Luftëtarit dhe Kukësi pësoi humbjen e vetme, por në atë kohë e kishte siguruar titullin kampion. E veçantë është sfida e radhës për stafin teknik, që për të parën herë rikthehet në Gjirokastër si kundërshtar. Duket se në këtë takim trajneri Milinkoviç kërkon vetëm fitoren, pasi në provat e bëra ditën e djeshme në stërvitje është parë një formacion shumë sulmues nga ana e teknikut serb. Në javët e fundit, të gjithë sulmuesit kanë shënuar dhe po tregojnë një formë të mirë. Alijev realizoi dy gola në 20 minuta që luajti me Teutën, Bakaj është golashënuesi i skuadrës, Guri shënoi një superegol në Lushnjë, Kale është i pandalshëm në të majtë dhe Ethemi surprizoi në ndeshjen e fundit. Zgjidhja? Të gjithë në lojë që nga ndeshja me Luftëtarin. Me modulin 4-1-4-1, trajneri Milinkoviç do të kërkojë të shfrytëzojë të gjithë kualitetin që ka në dispozicion. Në portë, Koliçi duket i konfirmuar, ndërsa në mbrojtje Hallaçi, Alla, Hoxha dhe Rrumbullaku do të kenë përpara tyre Kërkotiçin, i cili është riaftësuar dhe dje ka qenë në stërvitje. Në mesfushë ka ndryshime, pasi veç Kalesë që është “blinduar” majtas, Ethemi do të jetë sërish në të djathtë. Bakaj dhe Guri do të vihen pas Alijevit, duke formuar një tredhëmbësh të frikshëm. Kukësi do të luajë i gjithi në sulm për të vijuar me rezultatet pozitive.

 

Formacioni i mundshëm i Kukësit (4-1-4-1)

Koliçi

Hallaçi  Alla   Hoxha  Rrumbullaku

Kërkotiç

Ethemi   Bakaj   Guri   Kale

Alijev

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *