Stramaçoni ofendon Beneventon, më pas kërkon falje

Pas humbjes shtëpiake në ndeshjen kundër Pëlzenit, trajneri italian Andrea Stramaçoni, aktualisht te Sparta e Pragës dhe me një të kaluar si trajner i Interit, shpërtheu kundër arbitrimit dhe ndër të tjera lëshoi një batutë jo fort të zgjuar: “Ne nuk jemi Benevento, jemi Sparta. Nuk meritonim të humbnim, dua respekt!”.

Tani Sparta mund të jetë vërtet klub i madh, por askush nuk ka të drejtë Beneventon, që edhe pse është në fund të Serisë A, të paktën e ka realizuar një mrekulli, duke u ngjitur në A. Për këtë arsye, kryebashkiaku i Beneventos, Klemente Mastela, i është përgjigjur shumë ashpër Stramaçonit: “Lojtarët tanë po vihen në lojë nga miqtë e kolegët, të gjithë e kanë humbur besimin. Megjithatë, mendoj për atë idiotin Stramaçoni që tha ‘nuk jemi Benevento’. Ne i përgjigjemi “Ne nuk jemi Stramaçoni”. Bëri një krahasim idiot, një gjë e tillë na befason, është e papranueshme. Shpresoj që të na kërkojë falje”.

Menjëherë ka reaguar Stramaçoni, i cili ka kërkuar falje: “E përmenda Beneventon për faktin se është e re në Serinë A, merr pjesë për herë të parë. Kërkoj falje nëse kam ofenduar ndokënd, nuk ishte ai qëllimi. Gjyshja ime ka lindur në provincën e Beneventos, kam shumë të afërm aty, nuk bëhet fjalë ta akuzoj këtë qytet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *