Lushkja i motivuar: Goli shtysë, penalltia ishte

Mesfushori i Laçit realizoi golin e barazimit në Korçë dhe fitoi 11-metërshin, duke treguar një formë të mirë sportive

Vladimir Prenga

Laçi u mposht të enjten nga Skënderbeu, por nuk ka shumë kohë për të menduar për atë ndeshje. Gjithsesi, ashtu sikurse ndodh gjithmonë, kurbinasit kanë zhvilluar analizën e sfidës së humbur me korçarët dhe normalisht që ka pasur keqardhje, sidomos prej faktit që e kishin mundësinë të realizonin golin e barazimit 2-2 me Nikën, por goditja e tij nga pika e bardhë e penalltisë u ndal nga Orges Shehi. Pasi është analizuar ndeshja me Skënderbeun, fokusi ka qenë te ndeshja e radhës me Flamurtarin. Sa i takon objektivit, trajneri Mezani e tha qartë pas ndeshjes me korçarët: “Ne do bëjmë të pamundurën, pasi është ndeshje që e luajmë në shtëpi. Do kërkojmë maksimumin e pikëve. Kushdo qoftë në fushën tonë, nuk duhet të falim”. Këto kanë qenë pak a shumë edhe fjalët e thëna në seancën e parë stërvitore që vlonjati u prezantua para lojtarëve. Edhe pse luhet në Krujë, për bardhezinjtë nuk përbën ndryshim, ndaj tre pikët janë në njëfarë mënyre detyrim për Laçin. Aktualisht skuadra e financuar nga Pashk Laska ka marrë gjashtë pikë dhe ndodhet në vendin e 6-të në tabelën e klasifikimit, me pikë të barabarta me Kamzën, që ka golaverazh më të mirë.

LUSHKJA – Regi Lushkja ishte zëvendësimi i parë i Laçit në Korçë dhe mesfushori kavajas ishte protagonist me golin e barazimit 1-1 dhe me fitimin e penalltisë. Në një prononcim për “Sport Ekspres” ai shprehet se loja e zhvilluar ndaj Skënderbeut është një shtysë për të që të rritet edhe më tej. Fillimi nuk ka qenë i lehtë për të, pasi vinte nga një dëmtim që e bëri të humbte thuajse të gjithë fazën përgatitore. “Jam i kënaqur me faktin që shënova ndaj Skënderbeut, por sigurisht që do kisha dashur më së shumti të merrnim pikë. Nuk ia dolëm dhe them se duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës me Flamurtarin. Sa i takon formës time, po rritem gradualisht. Javët e para nuk kam pasur formën më të mirë, kjo pasi kisha kaluar një dëmtim në gju dhe më duhej të kapja ritmin e shokëve. Gradualisht fitova formën fizike, gjë që më ka ndihmuar edhe të rris përformancën në fushë. Shpresoj të vijoj të përmirësohem dhe ta ndihmoj sa më shumë skuadrën”, u shpreh Lushkja, ndërkohë që i pyetur për penalltinë e fituar prej tij, deklaron: “Penalltia ishte. Edhe vetë Jashanica ka deklaruar se kishte kontakt. Kur e sheh në pamje duket sikur nuk ndodh asgjë, madje edhe unë vetë do të thosha që nuk është po ta shihja nga videot, por më ka penguar dhe them se ishte i saktë vendimi i arbitrit”. Sfida e radhës është ajo me Flamurtarin në Krujë. “Po mendojmë për ndeshjen me vlonjatët. Luajmë në Krujë, por motivimi ynë për ta fituar këtë ndeshje është i njëjtë sikur të luhej në Laç. Na duhet të kthehemi te tre pikët dhe të gjithë do të bëjmë më të mirë. Do shfrytëzojmë seancat e mbetura stërvitore për të qenë gati për këtë sfidë mjaft të rëndësishme, që duhet ta fitojmë”. Lushkja i ëshë bashkuar Laçit që në janarin e vitit 2016, kur la skuadrën e Besës për të provuar një eksperiencë në Superiore dhe që prej atëherë është aktivizuar në 42 ndeshje, duke shënuar tre gola.

Bardhi humbet ndeshjen e radhës
Konkurrenca te Laçi është e madhe, teksa janë disa lojtarët që mbesin jashtë 18-shes. Për ndeshjen e radhës me Flamurtarin trajneri Gentian Mezani do të ketë të gatshëm brazilianin Maikon Eskerda, që nuk ishte në Korçë. Mungesa e vetme në sfidën me vlonjatët do të jetë ajo e Kejvi Bardhit, i cili në ndeshjen e së enjtes me Skënderbeun pësoi një dëmtim në kavilje dhe të paktën një javë do të duhet të pushojë dhe më pas të nisë gradualisht përgatitjet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *