U ndërtua vetëm pak vite më parë, por “Zeqir Ymeri” nuk është më në lartësinë e Kukësit, që në pak sezone është kthyer në një prej klubeve më të mëdhenj në Shqipëri. Me një stadium aspak të përshtatshëm dhe një fushë të një cilësie shumë të dobët, Kukësi nuk lejohet të luajë aty në kupat e Europës dhe është në hall për dëmtimet e shpeshta të lojtarëve.
Për këtë arsye, Kukësi ka nisur punën paraprake për ndërhyrje në stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe ndërkohë ka kontaktuar me një agjenci arkitekturore nga një studio jashtë vendit për ndërtimin e stadiumit të ri.
Klubi kampion në fuqi njofton se tashmë ka mbërritur projekti, i cili është pëlqyer nga presidenti Safet Gjici dhe drejtuesit e klubit. Projekti është i mirëstudiuar dhe ka ardhur me detaje. Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky impiant kap vlerën e 3.5 milion eurove dhe do të jetë padyshim ndër më modernët në Shqipëri.
Stadiumi do të jetë një qendër multifunksionale, pasi do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për skuadrën, nga palestra etj. I njëjti komoditet do të ofrohet edhe për tifozët që do të gjejnë shërbime të ndryshme.
Mbas miratimit të buxhetit nga qeveria shqiptare do të nisë edhe ndërhyrja në stadium. Presidenti Gjici ka besim se ky projekt do të miratohet nga qeveria shqiptare. Ndërtimi i stadiumit është një e mirë për qytetin e Kukësit, pasi sjell një tjetër impakt në jetën dhe ekonominë e qytetarëve. Skuadra kampione e Shqipërisë e meriton një investim të tillë edhe për shkak të historisë që ka bërë këto vitet në futbollin shqiptar. Ky stadium mund t’i shërbejë mjaft mirë edhe vëllezërve tanë nga Kosova, që do t’i kenë dyert e hapura për zhvillimin e ndeshjeve në kompeticionet ndërkombëtare.
Nëse realizohet, do të ishte diçka madhështore, aq më shumë nëse arrihet me koston e parashikuar, 3.5 milionë euro, që është një shifër modeste për shtetin shqiptar, sidomos po të llogaritet kostoja e jashtëzakonshme për ndërtimin e Arenës Kombëtare, pasuese e “Qemal Stafës”.
Një projekt i tillë, me këto parametra dhe kosto, nëse realizohet, do të duhej të imitohej urgjentisht nga disa klube të Superiores.