Ish-sulmuesi i famshëm i Argjentinës, Mario Kempes, i cili në Shqipëri mbahet mend edhe për ardhjen te Lushnja si trajner në vitin 1996, para se të niste lufta civile nga rënia e firmave piramidale, ka lëshuar një deklaratë të fortë, duke thënë se të vetmit njerëz që do gëzoheshin për dështimin dhe mbetjen jashtë Botërorit të Argjentinës do të ishin tifozët e Diego Maradonës.
Argjentina është në krizë dhe nesër luan një ndeshje “për jetë a vdekje” në Ekuador, ku fitorja me shumë gjasa e çon në Botëror, ndërsa Kempes e cilëson “katastrofë” mungesën në Botërorin rus.
“Një Kupë Bote pa Argjentinën dhe Mesin do të ishte një katastrofë. Të vetmit që do ishin të lumtur nëse Mesi nuk shkon në Botëror do të ishin tifozët e Maradonës, sepse atëherë ata do të vazhdonin të mburreshin se Maradona është më i madhi”.
Ndërkaq, Kempes nuk i konsideron psikologjike problemet e Argjentinës: “Nuk e kuptoj pse thuhet që Argjentina ka probleme psikologjike, lojtarët nuk janë debutues dhe pa eksperiencë, ata nuk kanë frikë dhe kanë fituar gjithçka në nivel klubesh. Tani e ka në dorë trajneri Sampaoli, duhet të tregojë që është shpëtimtari që pritej”.
Para pak ditësh Paulo Dibala habiti të gjithë, duke deklaruar se nuk mund të luante në një formacion me Leo Mesin, por Kempes i jep të drejtë: “Dibala tha diçka fantastike. Është shumë e vështirë të luash në krah të Mesit, nëse ke një rol me të. Kush e sheh ndryshe, është një budalla”.