Nga pagat tek Atsina, Gjyrezi hap “kartat”

Administratori i Vllaznisë ka folur për situatën në klub, besimin që ka tek ekipi për të bërë mirë, si dhe është ndalur edhe tek problematikat e kohëve të fundit

Gaspër Marku

Analiza e humbjes me Laçin është mbyllur me një premtim të futbollistëve kuqeblu, se duke filluar nga ndeshja e radhës rezultatet do të marrin kthesën e duhur për mirë. ky reagim pritet të vijë që në sfidën me Flamurtarin, ndeshje që do të luhet të enjten në orën 14:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Optimist është edhe administratori i Astrit Gjyrezi, i cili ndjek hap pas hapi çdo ditë ecurinë e kuqebluve. Të enjten të gjithë presin fitoren me Flamurtarin. “Besimi tek ekipi për një kthesë të tillë ekziston, madje mund të them se është maksimal”, shprehet për “Sport Ekspres”, administratori Gjyrezi. Më tej ai shton se klubi ka besuar dhe vazhdon të besojë te vlerat, aftësitë dhe karakteri i ekipit. “Ajo që më shton edhe më shumë besimin tek skuadra për një kthesë të tillë, është edhe puna e bërë gjatë kësaj periudhe në procesin stërvitor”, nënvizon Gjyrezi.

Ndërprerja e kampionatit
Gjyrezi shprehet se përgjithësisht kjo ndërprerje është pritur mirë nga ana e Vllaznisë, kjo sepse stafi kuqeblu është përpjekur të bëjë më të mirën gjatë këtyre ditëve për eliminimin e defekteve të konstatuara në javët e mëparshme. Sipas tij, puna ka qenë e përqendruar në të gjithë aspektet, duke ndikuar në rritjen e parametrave në të gjithë komponentët. Megjithatë, ai thekson se duhet ma shumë besim te vetvetja dhe aftësitë e tyre individuale.

Çështja Atsina
I ardhur për llogari të repartit të sulmit, sulmuesi nga Gana luajti shumë pak, kjo për shkak të një dëmtimi. Në pamundësi për t’u stërvitur me skuadrën, futbollisti në fjalë po mbahet nën mbikëqyrje nga stafi mjekësor. Shqetësimi në fjalë është përcjellë publikisht edhe nga ana e trajnerit Cungu, që ka nënvizuar mungesën e alternativave për vijën e parë të sulmit. “Në lidhje me çështjen ‘Atsina’, mund të them se futbollisti në fjalë ka pasur një problem fizik. Ai është ndjekur me kujdes nga stafi mjekësor dhe i është bërë rezonanca. fatmirësisht nuk kemi të bëjmë me problem serioz. Ky është një konfirmim edhe nga mjeket italian, me të cilët është konsultuar klubi Vllaznia”, thekson Gjyrezi, që sqaron çështjen në fjalë.

PAGAT
Një tjetër çështje jo pak e diskutuar gjatë kësaj periudhe ka qenë ajo e rrogave të prapambetura. Ky problem vazhdon të jetë akoma prezent për skuadrën. Realisht futbollistët deri më tani nuk kanë shfaqur ndonjë reagim publik, madje edhe atëherë kur kanë folur janë ngushëlluar me faktin se rrogat janë të sigurta, pavarësisht vonesës. Megjithatë, nën zë kanë filluar reagimet e para në një pjesë të mirë të skuadrës, sipas të cilave një ngërç i tillë po vonon shumë të zgjidhet. I pyetur për një problem të tillë, administrator Gjyrezi e pranon shqetësimin në fjalë, por nga ana tjetër garanton se edhe kjo çështje shumë shpejt do ketë zgjidhje përfundimtare, pasi procedurat zyrtare për kalimin e rrogave te futbollistët tashmë kanë përfunduar.

“Kupa? Vllaznia e eliminon Tiranën”
Ndonëse për momentin të gjithë janë të përqendruar tek kampionati, në Shkodër kanë filluar të mendojnë edhe për ballafaqimin e Kupës me Tiranen. Edhe për Gjyrezin përparësi kanë ndeshjet e kampionatit, por megjithatë teksa flet për ballafaqimin me Tiranen, ai bën të ditur se për këtë kompeticion Vllaznia ka pretendimet e veta. “Ndeshja me Tiranën si gjithmonë ka vlerat e veta, si në kupë, ashtu dhe në kampionat. Ekipi ynë po punon seriozisht në procesin stërvitor dhe kjo përgatitje nuk është vetëm për kampionatin, por edhe për Kupën. Kam bindjen e plotë se ekipi është i përgatitur për kalimin e këtij turi dhe shpresojmë në arritjen e këtij objektivi”, deklaroi Gjyrezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *