Pikë së pari duhet të sqarojmë që modeli Islanda dhe suksesi i jashtëzakonshëm i një kombi aq të vogël në 10 vitet e fundit nuk është vetëm një sukses që ndoshta duhet ta imitojë Shqipëria. Shumë shtete sot në kontinent mund ta huazojnë këtë formulë dhe herët a vonë mund të arrijnë të njëjta rezultate.
Shqipëria në 15 vitet e fundit është përqendruar shumë në bashkimin e gjithë potencialeve shqiptare jashtë vendit dhe në këtë pikëpamje është bërë një punë e jashtëzakonshme. Shqipëria shkoi në Europian dhe është sot një skuadër dinjitoze në Europë, sepse u punua shumë në bindjen e shumë futbollistëve të talentuar në Europë që, pasi nuk patën mundësi të luanin me Kombëtaret e vendeve ku lindën dhe u rritën, zgjodhën Shqipërinë. Ky grup i cili u rrit vit pas viti iu bashkua grupit të lojtarëve të lindur e rritur në Shqipëri dhe kjo skemë pati kulmin e saj në Europianin e kaluar, ku kualifikimi dhe 3 ndeshje me 3 pikë dhe me një lojë dinjitoze ishin patjetër një projekt për t’u duartrokitur.
Islanda gjithsesi na ka mësuar diçka më shumë. E para, na mësoi se suksesi nuk mund të vijë vetëm bashkimi i anëtarëve të një federate, por mbi të gjitha duhet një frymë që importohet nga shteti. Ata nuk ndërtuan asnjë stadium kombëtar ultra modern, por e përqendruan investimin e tyre diku tjetër.
Projekti nisi në vitin 2005. Islanda ishte një skuadër shumë modeste në Europë. Në vitin 1991, për shembull, Shqipëria, që gjithashtu ishte shumë e vogël, e kishte mundur me rezultatin 1-0, ndërkohë që populli me 300 mijë banorë dhe shumica femra as nuk e dërgonte ndonjëherë nëpër mend pjesëmarrjen në një Europian apo në një Botëror. Ata më së shumti preferonin hokej, diçka normale për temperatura të ulëta, klimën dhe këndvështrimin gjeografik.
Futbolli ishte një kërkesë e kohës. Në fillimin e viteve 2000 fëmijët donin të luanin gjithnjë e më shumë këtë lojë. Shteti vendosi: ndërtimi i fushave inkubator. Duke qenë se të luash në qiell të hapur është e pamundur, u ndërtuan shumë fusha të mbyllura dhe u krijua një sistem i unifikuar gare që fillonte nga fëmijët deri te të rriturit. Shkollat, dhe jo vetëm ato, filluan të ndesheshin me njëra-tjetrën dhe në Islandë sot janë rreth 100 mijë njerëz që merren me futboll. Praktikisht të gjithë meshkujt e ishullit. Duke qenë se flitet për një vend me një ndërgjegje profesionale të jashtëzakonshme, përzgjedhja e lojtarëve u bë patjetër nga trajnerë jo vetëm të aftë, por edhe të ndershëm. Kësisoj në 2010 vetëm pas 5 vitesh që kishte nisur gjithçka, një grup i rëndësishëm me moshën mesatare 19 vjeç habitën botën duke shkuar deri në katërshe të Europianit të 21-vjeçarëve. Nga na dolën këta, thanë të gjithë?
Në 2012 Islanda u shortua në një grup me Shqipërinë. Para shortit ata ishin në vazon e gjashtë, duke qënë realisht jo favoritë. Shqipëria në të njëjtin grup ishte në vazo të katërt, ndërsa Qiproja ishte e pesta. Islanda trashëgoi në ekipin kombëtar të paktën 7 nga lojtarët të cilët kishin shkëlqyer në Europianin e moshave dhe që tanimë ishin transferuar mbi të gjitha në Premier Ligë. Në atë edicion ata, përtej gjithë pritshmërive, zunë vendin e dytë dhe nuk shkuan në Botërorin e Brazilit vetëm sepse u mundën nga Kroacia në play-off. Shqipërinë e mundën dy herë 2-1 dhe në Tiranë dhe në Rejkajvik.
Edicionin e shkuar ata u kualifikuan direkt për në Europian dhe aty lanë një shije shumë të mirë, duke eliminuar Anglinë në 1/8 finale dhe duke u skualifikuar vetëm nga Franca në çerekfinale. Sot janë në vend të parë dhe janë kandidatë kryesorë për të shkuar direkt në Rusi pa nevojën e plejoffit. Imagjino që në grupin e sezonit të shkuar kanë pasur kundërshtarë emra si Holanda, ndërkohë që këtë edicion kanë Ukrainën, Kroacinë dhe Turqinë. Së fundmi fituan 3-0 në Turqi.
Ndërkohë sistemi në vend vazhdon. Futbolli është një krenari kombëtare dhe sot është e pamundur të gjesh ndonjë fëmijë apo të ri që nuk regjistrohet për të luajtur futboll. Investimi në fushat sidomos për këtë moshë vazhdon, ndërkohë që filtri i përzgjedhjes së trajnerëve është fantastik, mbi bazë ndershmërie.
Klubet islandeze ndoshta nuk po bëjnë gjëra të mëdha në arenën ndërkombëtare, por kjo është e kuptueshme. Islandezët sot shiten në Premier Ligë dhe në Europë që kur janë 16-17 vjeç dhe klubet përfitojnë të ardhura nga shitja e tyre. Ata lindin në Islandë, formohen aty, por bëhen të rëndësishëm sidomos në Britani për t’i shërbyer më pas sërish ekipit kombëtar. Natyrisht, islandezë ka kudo në vendet fqinjë, ndaj talentet dalin edhe nga Norvegjia, Suedia, apo edhe Britania e Madhe.
Shqipëria ka pasur një moment në historinë e saj që ka bërë diçka të përafërt. Në vitin 1978 infrastruktura pësoi një goditje pozitive dhe futbolli në Shqipëri u kthye në një gjë kombëtare. U ndërtuan fusha dhe u krijuan kampionate që nga moshat e deri te shkollat. Spartakiada dhe madje përzgjedhje cilësore mbi bazë ndershmërie. Kombëtarja e të rinjve të kohës fitoi kampionatin ballkanik, kombëtarja e 18-vjeçarëve shkoi në finalet e Europianit, ndërsa kombëtarja e 21-vjeçarëve shkoi deri në çerekfinalen e Europianit ku u eliminua nga Italia. I njëjti brez që kishte që 15-16 vjeç që luante bashkë na bëri të shpresonim madje edhe kualifikimin për në Botëroein e 1986-ës, duke mundur Belgjikën e duke barazuar me Poloninë e Greqinë. Më pas sukseset pushuan për një arsye të thjeshtë. Islandezët e sotëm qëndrojnë deri 19-20 vjeç në vend dhe më pas largohen në liga shumë të forta, ndërsa atëherë shqiptarët ishin të izoluar dhe nuk kishin mundësi të transferoheshin diku tjetë, duke mos u zhvilluar më shumë. Lojtarët e atij brezi luajtën futboll deri në 31-32 vjeç në Shqipëri duke i dhënë një tonus shumë të madh kampionatit dhe duke pasur deri diku disa suksese në arenën ndërkombëtare në kupat e Europës.
Pyetja që shtrohet është: a ka mundësi sot Shqipëria që të imitojë Islandën? Infrastruktura edhe mund të bëhet, sepse shpenzimet nuk do ishin të mëdha, por ajo që vihet në dyshim është ndërgjegjja e seleksionimit. Sot ekipet e moshave në Shqipëri, duke filluar nga fëmijët e deri te 19-vjeçarët, janë një gangrenë e jashtëzakonshme korrupsioni. Prindër që paguajnë mijëra euro që fëmijët e tyre të kenë një shans dhe trajnerë që të tunduar nga ky lloj korrupsioni djegin talente çdo vit dhe kjo ka një ndikim direkt në sistemin që i dërgon këta lojtarë në ekipet kombëtare apo në ekipet e para. Për të imituar Islandën nuk duhen vetëm para, nuk duhet as strategji, duhet mbi të gjitha ndërgjegje. Praktika tregon që sidomos në futbollin e moshave ne këtë gjë nuk e kemi.