Fatkeqësisht për ne, ndeshja nuk nis në minutën e 27-të. Sepse nuk është e ndershme të gjykosh ndeshjen kundër Spanjës pasi rezultati ishte 3-0. Në fund na u duk një shije e mirë, ndoshta sepse evituam katastrofën ose ndoshta se krijuam 3-4 raste dhe goditëm tre herë shtyllën.
Megjithatë, të gjithë dalëngadalë harruam se për çfarë shkuam në Spanjë. Nuk shkuam vetëm për të qenë dinjitozë, sepse dinjiteti nuk varet nga rezultati e as nga cilësia. Dinjitozë jemi apriori nëse japim më mirën tonë.
Në Spanjë shkuam për ta bërë kundërshtarin të vuajë, për të tentuar mrekullinë, për të besuar se mund të bënim diçka dhe ose jo për të ëndërruar. Kjo është dhe çështje këndvështrimi por kur pëson 3 gola në 27 minuta, e madje 3 në 11 minuta për të qenë efikasë nga minuta e 16-të e pas, atëherë e kupton qartë se nuk ka vlerë të thuash çfarë bëmë mbrapa. Ajo që bëmë ne mbrapa ishte më shumë rrjedhojë e kundërshtarit. Të shënon 3 herë dhe më pas ul ritmin dhe mendon: ikim të gjithë për fundjavë.
Kësisoj në Shkodër kundër Spanjës ndoshta nuk bëmë asgjë në sulm, por deri në minutën e 60-të ne ishim në barazim dhe ajo “ku i dihet” që na ka mbajtur gjallë të intrigon më shumë. Kush jemi ne që luajmë në sulm me Spanjën e kush jemi ne që bëjmë eksperimente me Spanjën? Spanja të rreh, por jo kështu. Ne jemi një skuadër që sapo kemi luajtur në Europian. Nuk mund të mësojmë 3 gola për 11 minuta. Kjo nuk ka minimumin e logjikës taktike. Do ishte më e këndshme të pësoje tre gola pas minutës së 60’. Pasi ndeshja përfundoi 3-0 vendasit kishin një ndjesi të tipit: kur po mbarojmë, ndërsa ne miqtë bëmë diçka që në fund e dinim dhe vetë që nuk ia vlente.