Bylisi nis avazin, Devolli lë stolin

Bylisi barazoi pa gola në sfidën e fundjavës ndaj Turbinës. Ka mjaftuar ky rezultat që të ketë zhvillime të reja në ekipin ballshiot, teksa dje pas seancës stërvitore ka pasur një takim mes krerëve më të lartë të skuadrës së Bylisit dhe trajnerit Bledar Devolli. Në analizë është diskutuar rreth ndeshjes së fundit në Cërrik, por edhe lojën e skuadrës në tri takimet e para të kampionatit. Trajneri Bledar Devolli, për shkak edhe të largësisë familjare, duke qenë se banon në Tiranë, i ka propozuar presidencës dorëheqjen dhe me një shtrëngim duarsh është ndarë me Bylisin.

DEVOLLI – Dje, “Sport Ekspres”, ka kontaktuar me trajnerin Bledar Devolli, i cili ka pohuar: “Diskutuam me presidencën pas ndeshjes me Turbinën dhe dje qëndruam gjerë e gjatë duke analizuar situatën me detaje. Nuk ka të bëjë fare me rezultatet, sepse ekipi u ndërtua nga e para, por largësia me familjen më shumë, më detyroi që të gjenim një rrugë të përbashkët. Bylisit dhe presidentit Kapllanaj i uroj suksese, jemi ndarë si miq sepse edhe kur shkova, e pranova sepse njihemi prej vitesh. Bylisi është i vetmi ekip që jam i bindur se do të rivalizoj Tiranën denjësisht. Unë falënderoj të gjithë ata djem që punova në atë qytet dhe ekip. Mendoj, se Bylisi deri në fund do të jetë rivali i vetëm i Tiranës dhe sepse ka grup shumë të mirë dhe i uroj suksese skuadrës dhe presidencës në punën e nisur”, – ka thënë dje Devolli.

BYLISI – Ballshiotët janë gjendur edhe të papërgatitur nga situata dhe kanë nisur që të studiojnë alternativat. Deri dje në mbrëmje janë studiuar shumë mera, mes tyre trajner shqiptarë, por edhe të huaj me “CV” të pasur. Presidenca ballshiote, nuk do të nxitohet, pasi do të kërkoj një trajner me eksperiencë, por edhe që të vazhdoj objektivat që ka klubi këtë edicion. Si edhe ka konfirmuar presidenca e Bylisit, deri në fundjavë do të zyrtarizohet trajneri i ri, pasi nuk do të nxitohen në zgjedhjen e një emri që të vijojë projektin edhe me lojtarët e rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *