Edgar Çani është një personazh interesant, pasi gjatë karrierës së vet ka luajtur me kombëtaren shqiptare dhe për shumë vite në Itali, ndërsa vetëm këtë sezon ka debutuar në futbollin shqiptar, ku duket ende i huaj. Për TMW Radio, sulmuesi i Partizanit ka folur për sfidat e kombëtares shqiptare, por edhe për aventurën e tij te Partizani.
“Kam luajtur për shumë kohë në Itali, edhe në Toskanë. Më pëlqen shumë. Kombëtarja shqiptare? Besoj se ka bërë shumë hapa përpara, nuk duhet nënvlerësuar. Është kualifikuar për në Europianin 2016, ka ndodhur një evolucion i madh. Skuadra ka dëshirë të bëjë gjëra të mira, sidomos kur luan kundër kombëtareve të mëdha si Italia e Spanja. Janë ndeshje vitrinë, të gjithë japin diçka më shumë. Spanja është pak më lart se Italia, është më konstante në lojë dhe rezultate, por edhe Italia nuk duhet nënvlerësuar, sepse ka një grup të fortë dhe një skuadër cilësore”, deklaron sulmuesi.
Më pas, dy fjalë për aventurën shqiptare: “Është hera e parë që luan në atdhe. Ka aspekte negative e pozitive, në fillim të sezonit kemi bërë shumë ndryshime. Në këtë moment nuk po shkëlqejmë, jemi ende duke gjetur ekuilibrat e duhur. Duhet të punojmë pak më shumë, meritojmë një kampionat ndryshe dhe do t’ia dalim mbanë të paraqitemi më mirë”.