Ramadani: Ëndërroj kombëtaren e Panuçit. Partizani do të ringrihet

Ylber Ramadani ka dalë sot para medieve në Elbasan, ku ka folur në prag të sfidës kualifikuese të Shqipërisë U-21, kundër Islandës. Edhe pse është e vështirë, Shqipëria synon vendin e dytë dhe për këtë duhet patjetër fitorja ndaj Islandës, ashtu si para pak javësh në vendin skandinav.

Ramadani është optimist: “Islanda është favorite përpara nesh, por ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu i ftoj të gjithë tifozët të vijnë në stadium se janë forca jonë. Prej fillimit të kualifikueseve objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi një ekip të mirë me një grup cilësor. Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar fati. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip që mund ti shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet. Ëndrra ime është Kombëtarja A. Ne do të mendojmë të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektivat tonë”.

Ramadani luan dhe po shkëlqen te Velje në Kategorinë e Dytë daneze, ku është edhe ish-trajneri i Partizanit, Sormani, i cili e kërkoi Ramadanin në verë: “Te skuadra ime Velje ndihem shumë mirë sepse kam gjetur trajnerin Sormani me të cilin kam punuar te Partizani. Më ka ndihmuar shumë të përshtatem me stilin e futbollit danez. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi pësuar vetëm një humbje. Objektivi ynë këtë vit është Superliga, sepse klubi ka bërë blerje të mëdha, ka investuar shumë dhe besoj se pas këtij sezoni do të ngjitemi mes më të mirëve”.

21-vjeçari nuk e harron Partizanin: “Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Champions dhe Europa League. Me djemtë kam kaluar gjithashtu mjaft mirë, dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit. I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *