Ndonjëherë gjithçka të duket e errët, një tunel pa fund, dhe ndonjëherë gjithçka ecën mbarë, si me magji. Sokol Cikalleshi është duke përjetuar situatën e dytë, sepse po përjeton një moment fantastik në karrierë, por edhe në jetë. Sulmuesi 27-vjeçar ka nisur këtë sezon një aventurë të re, në Ankara, tek Osmanlispori, klub që ka besuar shumë tek ai dhe ka shpenzuar shumë, një rekord në historinë e klubit, që deri më sot nuk e kishte kaluar kurrë shifrën 1 milion euro për një futbollist. Natyrisht, një shpenzim i madh krijon edhe pritshmëri të mëdha, ndaj duhet edhe pak fat për të evituar shënjestrimin nga mediat. Cikalleshi ka vetëm pak javë në Ankara, por ambientimi ka ecur shumë mirë dhe dje sulmuesi i kombëtares sonë shënoi golin e dytë të ndeshjes së fituar 3-0 ndaj Kasimpashas. Një gol me peshë të rëndë, sepse siguroi fitoren e parë që prej muajit prill të këtij viti, një përjetësi, për një klub të pasur dhe ambicioz, që nuk luan thjesht për mbijetesë, edhe pse aktualisht renditja “qan”. “Klubi synon Europën, çdo vit”, thotë Cikalleshi, i cili në një intervistë për “Sport Ekspres” flet për aventurën turke, kthimin në kombëtare pas një keqkuptimi me trajnerin Panuçi dhe lajmi më i bukur, pritja e një fëmije, fitorja më e madhe në jetë.
– Përshëndetje, Sokol. Urime për golin, ka ardhur në momentin e duhur, apo jo?
– Moment perfekt, më duhej shumë realisht ky gol dhe jam i lumtur për fitoren. Kishim kohë që ishim nën presion në aspektin psikologjik, sepse nuk po na ecte në lojë e rezultate, por kjo fitore është një pikë kthese.
– Pse kaq vështirësi deri tani? Këto vitet e fundit Osmanlispori ka qenë një ekip i konsoliduar, gjithnjë mbi mesin e tabelës.
– Ka qenë dhe mbetet një ekip dhe klub shumë solid. Jo më kot, për çdo vit drejtuesit vendosin si objektiv kualifikimin në Europa League. Fillimi ka qenë i vështirë, por javën e shkuar u largua trajneri Bylent Ujgun, me të cilin në fakt gjërat nuk po funksiononin si duhet. Ekipi ka elemente cilësorë dhe lojtarë me shumë eksperiencë, por mungonte përqendrimi dhe nuk dukeshim një ekip. Tani ka ardhur Irfan Buz, me të cilin gjërat po ndryshojnë për mirë. Edhe unë ndihem shumë mirë, pas ndeshjes trajneri më përqafoi dhe jemi të bindur se ishte vetëm fillimi i ringritjes në renditje, sepse jemi ende në fund.
– Si ka ecur përshtatja në Ankara? Po në ekip, a ndihesh se e ke gjetur vendin tënd?
– Normalisht ambientimi ka probleme fillimisht, që nga transferimi nga një qytet në tjetrin, akomodimi, njohja e ambientit, klubit e lojtarëve. Megjithatë, ndihem shumë mirë, kam vite në Turqi dhe tashmë jam si i shtëpisë në kampionatin turk, ndërkohë që kam lëvizur shpesh këto vitet e fundit dhe jam mësuar. Për sa i përket skuadrës, luajmë me një skemë me një sulmues të avancuar, që është pozicioni im, mbështetur nga një fantazist, por me dy anësorë të shkëlqyer, ndër më të shpejtët në Turqi. Osmanlispori gjithnjë i tillë ka qenë, skuadër me lojë fantastike nga krahët, por pa sulmues. Në dy sezonet e fundit shënuesit më të mirë janë ndalur te 9 golat. Shpresoj që të shënoj sa më shumë për të justifikuar shifrën rekord që klubi ka shpenzuar për mua, si dhe shpresoj të ëqndroj sa më gjatë, sepse unë nuk preferoj që të lëviz çdo vit, edhe pse këto vitet e fundit kam ndryshuar disa ekipe. Gjithnjë kam pasur si synim të luaj rregullisht, edhe tek Akisari isha i lumtur nëse qëndroja, por ata nuk kishin fuqi financiare të më blinin.
– Të flasim pak për Kombëtaren. Ashtu si pritej, je kthyer, pas mungesës në dy ndeshjet e fundit për vendim të trajnerit Panuçi, duke qenë se kërkove leje. A ke ende keqardhje për atë episod, apo është harruar gjithçka?
– Është folur shumë për atë histori, nuk ka nevojë t’i kthehemi. Është një histori e mbyllur për mua, kam respektuar dhe respektoj gjithnjë vendimet e trajnerit, çfarëdo që të ndodhë. Edhe trajneri ka treguar se ka lënë pas gjithçka dhe unë jam në dispozicion të plotë, si zakonisht për kombëtaren, që është e shenjtë për çdo futbollist.
– Je kthyer ti, por edhe Xhaka e Lenjani. Duket sikur është rindërtuar grupi që shkoi në Europian.
– Më bëhet qejfi, sepse Kombëtarja ka nevojë për më të mirët dhe sa më shumë të jemi, aq më mirë është. Përtej problemeve apo formës momentale, të gjithë duam të japim maksimumin për kombin tonë.
– Përpara janë Spanja dhe Italia. Kemi të drejtë të shpresojmë?
– Spanja dihet kush është, nuk ka nevojë të zgjatem. Luajmë në Spanjë, do të kemi disa mungesa shumë të rëndësishme, ndaj nuk ushqejmë iluzione, por nga ana tjetër nuk kemi ç’të humbasim, do ta provojmë. Edhe me Italinë e njëjta gjë, por do të luajmë në shtëpi dhe do të jemi më të kompletuar, ndaj do të tentojmë gjithçka për gjithçka. Në ndeshje të tilla, nëse merr rezultat pozitiv mbahesh mend, nëse humbet askush nuk habitet.
– Pret të luash, duke qenë dy rivalë prestigjiozë, ndaj të cilëve të gjithë duan të jenë në fushë?
– Nuk është vendimi im dhe pak rëndësi ka nëse luaj unë apo dikush tjetër. Kombëtarja ka nevojë për titullarë dhe rezerva që i vendos trajneri, ndërsa të gjithë duhet të jenë gati, të presin qetësisht momentin e vet. I lumtur nëse luaj, do të jap gjithçka nga vetja, asnjë problem nëse nuk luaj, pasi nuk është se përballemi për herë të parë me emra të tillë. Pastaj, kemi luajtur edhe në Europian, ndaj tashmë ka kaluar koha kur ndeshje të tilla shiheshin me ndrojtje dhe rivalët si idhuj.
– Dje festove duke futur topin poshtë fanellës. Lajm i madh në horizont?
– Po, në fakt. Festova ashtu sepse së shpejti bëhem baba, ndoshta brenda tetorit. Është një ndjenjë e mrekullueshme, unë dhe shoqja ime e jetës jemi shumë të emocionuar, pasi do të kurorëzojmë dashurinë tonë me diçka të jashtëzakonshme, që po presim me padurim ta përjetojmë. Edhe goli i shënuar erdhi si me porosi, kisha dëshirë të festoja ashtu, pasi është vërtet një moment i bukur për mua.
Intervistoi: Blerim Jahaj