Ramadani: Kampionat i çuditshëm, nuk ka më faktor fushë

Mesfushori i Luftëtarit, Behar Ramadani, ishte një ndër më të mirët në fushë në ndeshjen kundër Flamurtarit, duke vrapuar pa fund në mesin e fushës, për të prishur lojën kundërshtare. Veterani i Luftëtarit nuk e fsheh kënaqësinë për një pikë të çmuar, ardhur me një lojë mjaft të mirë: “U munduam të ushtronim presion gjatë gjithë ndeshjes, e bëmë shumë mirë në pjesën e parë, ndërsa vuajtëm pak në fund, kur u ndje lodhja. Morëm një pikë me shumë vlerë, fusha e Flamurtarit është e vështirë, por luhet rehat dhe të lë të luash futboll, ndaj nëse luan mirë, është e lehtë të marrësh pikë.

“Synimi ynë është të përmirësohemi në krahasim me sezonin e shkuar. Kemi ndryshuar shumë, janë larguar disa lojtarë që ishin të rëndësishëm dhe të fortë në lojën me ajër. Sezonin e shkuar ishte e vështirë, sepse ishim debutues, këtë vit është më ndryshe, kemi një sezon në Superiore dhe po përballemi si të barabartë me këdo. Është një kampionat i çuditshëm, do të jetë i tillë deri në fund, çdo skuadër mund të fitojë jashtë e të humbasë në shtëpi.

“Krahasimet me sezonin e vjetshëm? Milinkoviç kreu një punë të shkëlqyer, nuk hidhet poshtë puna e tij, ishte strikt e korrekt dhe e dinte të merrte maksimumin nga lojtarët. Megjithatë, pati edhe lojtarë të mirë dhe në dispozicion, ndaj ia dolëm të gjithë bashkë. Brumi është i mirë edhe këtë vit, ndaj besoj se do ecim mirë edhe këtë sezon.

“Mbrojtja solide? Kanë ndihmuar shumë edhe sulmuesit. Kemi sulmues të shkëlqyer, që ndihmojnë shumë edhe në prapavijë, mjafton të shihet ndeshja e sotme. Kemi lojtarë si Bregu e Abazaj, shumë të shpejtë, saqë edhe në stërvitje e kemi shumë të vështirë t’i kapim, edhe pse i njohim mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *