Gjoni: Festa mbaroi, të shfrytëzojmë momentin

Qendërmbrojtësi i kurbinasve vlerëson Luftëtarin, kundërshtarin e radhës të bardhezinjve, por ka besim se do ia dalin me sukses

Vladimir Prenga

Fitorja me Partizanin dhe Sopotin janë harruar te Laçi. Skuadra kurbinase ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Luftëtarin dhe i gjithë fokusi është aty. Dje, nën urdhrat e stafit teknik, grupi i lojtarëve është përgatitur në aneksin stërvitor pranë stadiumit dhe seanca stërvitore është karakterizuar nga ushtrime të lehta tekniko-taktike dhe lojë me topin.

Të gjithë janë të përqendruar te ndeshja e së dielës, ndërkohë që ditën e martë është zhvilluar edhe analiza e ndeshjes me Partizanin. Drejtuesit ua kanë bërë të qartë futbollistëve se duhet të jenë me “këmbë në tokë” dhe të mos dehen nga suksesi me të kuqtë në javën e parë të kampionatit. Para sfidës me Luftëtarin është mbrojtësi Eglentin Gjoni ai që flet për fillimin e sezonit dhe ndeshjen e radhës me gjirokastritët.

“Kthesa jonë sezonin e shkuar erdhi pikërisht ndaj Partizanit, kur barazuam me rezultatin 0-0, çka bëri që të mbeteshim në garë dhe në fund të siguronim qëndrimin në Superiore. Ndoshta nga ajo ndeshje në njëfarë mënyre kemi gjetur motivimin dhe arritëm të fitonim. Këtë herë u treguam të saktë në daljet përpara dhe realizuam dy gola. Është një nisje shumë e mbarë, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Janë vetëm tre pikë të marra dhe duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës”, thotë për “Sport Ekspres” Gjoni, që vlerëson më tej skuadrën e Luftëtarit.

“Të dielën kemi një ndeshje të vështirë, ndaj një kundërshtari që ka vlerësimin tonë maksimal. Festa ka mbaruar ndaj të gjithë e kemi mendjen te ndeshja me Luftëtarin. Nuk ka ndeshje të lehta. Skuadrat kanë të gjitha thuajse një nivel. Askush nuk e mendonte që ne do fitonim ndaj Partizanit, por ndodhi. Duhet të bëjmë më të mirën dhe për këtë po përgatitemi. Në skuadër ka optimizëm dhe do mundohemi të shfrytëzojmë momentin e mirë për të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Të gjithë kemi besim se mund ta bëjmë diçka të tillë, por kjo arrihet me impenjim”, përfundoi Gjoni, i cili në fitoren 0-12 në Kupë ndaj Sopotit mbante shiritin e kapitenit, pasi Sefgjini ishte lënë pushim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *