Fatmir Efica
Atmosfera futbollistike në Kavajë rikthehet me notat më të larta të optimizmit për skuadrën me shumë traditë të Besës. Natyrisht për tifozët e saj që tashmë kanë nisur të riorganizohen, për t’i qëndruar më pranë skuadrës. Do të jenë njëra pas tjetrës, të mërkurën e të shtunën dy përballje “BIG”, me dy skuadrat e mirënjohura kryeqytetase. Me Tiranën, për turin e parë të kupës, të mërkurën më 13 shtator dhe ndaj Dinamos të shtunën më 16 shtator për startin e kampionatit. Gjithnjë, sfidat mes këtyre skuadrave kanë qenë mjaft të bukura dhe emocionuese.
MASAT – Bashkia e Kavajës dhe personalisht kryetari i saj z. Isa Sakja, kanë hartuar një plan masash ndihmues në lidhje me ndihmën e mbështetjen që kërkon në këto momente skuadra, pas rikthimit të presidentit Nexhat Bizhdili dhe një cikli riorganizimi si në stafin teknik ashtu dhe në organikën e ekipit. Drejtori i Kulturës dhe Sporteve, z. Genc Gjylsheni, për “Sport Ekspres” tha dje në mesditë se gjendja e fushës së stadiumit “Besa” është mjaft e mirë. Madje, për ta ruajtur atë për dy sfidat me Tiranën e Dinamon të kësaj jave, miqësorja e fundit e fituar me Shkumbinin 5-1 u spostua dhe u luajt në aneksin stërvitor me bar sintetik, pasi të shtunën paraditja u përshkua edhe nga reshjet e shiut. Masa të tjera kanë qenë disa punime rikonstruktuese për t’ia ndryshuar sa më shumë që të jetë e mundur imazhin ambienteve të brendshme e të jashtme të stadiumit ”Besa” të qytetit të Kavajës i ndërtuar pas viteve ’70-të, një objekt që ka pasur një amortizim të madh në këto pesë dekada.
MERKATO – Janë bërë shumë largime-afrime, por Besa akoma nuk e ka “qepur” përfundimisht listën e organikës së saj të re. Qarkullojnë shumë fjalë për afrimin te Besa të sulmuesit Mario Morina sikurse një rikthim të mundshëm të mbrojtës-mesfushorit Ervis Kaja. Por në fakt po bëhen përpjekje edhe për një sulmues tjetër që thuhet se mund të mbërrijë gjatë kësaj jave të re që nis sot. Kompletimi i radhëve në finishin e kësaj merkatoje verore, ku Besa ka ditur të jetë tepër e matur dhe e kujdesshme në lidhje me forcimin e kompletimin e saj, tregon atë dëshirë për të ndërtuar një ansambël kompetitiv që në vitet e fundit në Kavajë ka munguar ose qe shfaqur me mbajtjen në këmbë në mënyrë shumë të “brishtë” të ekipit.
TRAINERI – Është puna serioze dhe autoriteti absolut që Artion Poci zotëron në marrëdhëniet e punës me futbollistët e gjithë faktorët e tjerë që ka ndikuar në ridimensionimin e efekteve pozitive për të pasur një Besë me një profil të ri. Poçi ka çuar në vend idenë në lidhje me përforcimet e skuadrës kavajase me futbollistë cilësorë. Ardhja e Meglid Mihanit, Erand Hoxhës, Mirel Dukës dhe disa lojtarëve me moshë të re por me ambicie të mëdha për t’u afirmuar e shpërthyer në këtë sezon të ri, është dëshmi e një rikonfigurimi të bërë me ide të qarta nga trajneri që gëzon mbështetjen e përkrahjen e të gjithëve në Kavajë. Duke e njohur mirë realitetin e futbollit kavajas, Poçi është njeriu i duhur në krye të skuadrës në këto momente duke dhënë gjithçka nga arsenali i vlerave të tij…