Shpërthen Besa, fiton me goleadë ndaj Shkumbinit

Pëson e para por reagon si kurrë ndonjëherë më parë me një “manita” me gola. Trajnerin Poçi e kënaq ritmi, pritet Ervis Kaja

Fatmir Efica

Miqësorja më e mirë e Besës e zhvilluar gjatë kësaj vere. Sepse dje përveç fitore, regjistroi edhe një “manita” me gola. Fqinjët nga Peqini shënuan të parët, sapo nisi loja në 3’ me anë të Renato Dervishit, por Besa ka barazuar thuajse sa u shkelmua topi nga qendra. Reagimi kaq i shpejtë dhe rritja e epërsisë territoriale por edhe e mundësive për shënim nëpërmjet aksioneve të shpejta bëri që Besa pas mesit të pjesës së parë të sigurojë një avantazh deri në 3-1. Kavajasit e komanduan më mirë lojën në të tria repartet. Mesfusha pavarësisht se mungoi Mihani, me Dukën diti të ndërtonte një manovër efikase me topa prapa shpinës së kundërshtarit dhe alternimet e pasimeve, sa në krahë aq edhe në qendër. Epërsia e pjesës së parë ndihmoi Besën që pavarësisht ndërrimeve pa “doganë”, në pjesën e dytë të shënojë edhe dy gola të tjerë me Aldo Dervishi në të 66’ dhe Saimir Çelhakën që realizoi një eurogol në 87’ nga një pozicion tepër i vështirë. Shkumbinit, meqenëse i janë larguar shumë lojtarë të rëndësishëm, por dhe ka një numër rekord të ardhurish, që ende sipas trajnerit nuk po bindin, megjithatë, këtë rezultat se ka “përtypur” mirë në Kavajë Sokol Branica. Edhe pse munguan Meglid Mihani e Erando Hoxha, dyshja me mjaft eksperiencë që janë “ruajtur” për takimet zyrtare të javës së re, Besa ndaj Shkumbinit me fitoren 5-1, tregoi se ky shpërthim me lojë e goleadë nuk duket tashmë aspak i rastësishëm. Më në fund po jepen sinjalet se po vjen ajo Besë që duam e njohim të gjithë…

Ervis Kaja në bisedime

Mbrojtësi shtatlartë Ervis Kaja është në bisedime me skuadrën e Besës dhe me shumë gjasa do të luajë në Kavajë sezonin e ri. Me sa duket, oferta që presidenti Nexhat Bizhdili i kanë bërë, kanë bindur mbrojtësin që edhe dje ka qenë në bisedime me krerët më të lartë të klubit kavajas. Rikthimi i Kajës, me Shehin e Hoxhën në mbrojtje, do ta bënte edhe më solide skuadrën e drejtuar nga Poçi, i cili e njeh mirë Kajën pasi e ka pasur shok skuadre në Kavajë por edhe e ka trajnuar te Korabi vitin e shkuar.

BESA – SHKUMBINI 5-1

SHËNUES: E. Kaloshi 4’, A. Dërvishi 18’, 66’, E. Hoxha 25’, S. Çelhaka 87’ / R. Dervishi 3’

BESA: Ar. Kaloshi, Perja, Kulloli, Ngjela, Biba, Duka, Shabani, E. Kaloshi, E. Hoxha, A. Dervishi, Hasanaj. (U aktivizuan: Rexhepaj, Dida, Lleshi, Bushi, Brahimaj, Çelhaka, Cara, Ramilli, Oshafi, Isufi, Hyka, Deliu, Masha, Selita). Trajner: A. Poçi.

SHKUMBINI: Ajazi, Bërdufi, Meta, Xhyra, Musaku, Dervishi, Sadiku, Nexha, A. Branica, Stojku, Lluca. (U aktivizuan: Abazi, Beqiri, Karaj, Shehi, Sinani, Bali, Zhuga, Fejzaj). Trajner: S. Branica.

GJYQTARË: Xh. Mema, A. Demiraku, A. Vila (Durrës).

KARTONA TË VERDHË: A. Kaloshi 21’ / R. Shehi 79’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *