Nuk shqetësohet, luan titullar apo e nis nga stoli, sepse Gjergji Muzaka ka tashmë aq eksperiencë dhe pjekuri që ta kuptojë se trajneri vendos për gjithçka. Muzaka është gjithnjë gati, kjo është e rëndësishme për Skënderbeun dhe Dajën. Dje Muzaka u aktivizua në 30 minutat e fundit dhe iu deshën vetëm 3 minuta që të shënonte golin që mbylli ndeshjen, sepse Flamurtari mundohej të barazonte.
Pas ndeshjes, Muzaka nuk e fshehu kënaqësinë për golin dhe fitoren, ndërsa lavdëron skuadrën dhe grupin e krijuar: “Gjithmonë ndeshjet e para janë delikate, pavarësisht se ndaj kujt ekipi luan në fushë. Unë dua ë them se Flamurtari ka një ekip cilësor dhe kjo është e dukshme por ishte një minus për ne që nuk kishim informacion për kundërshtarin. Megjithatë, i gëzohemi tre pikëshit dhe fitores, pasi siç e thashë në javët e para është pak e vështirë për të gjithë. Ne vinim nga Europa dhe kishim një realitet tjetër, por kampionati jonë për të qenë realist është rritur mjaft në vitet e fundit. Megjithatë Europa me kampionatin janë dy gjëra të ndryshme. Nëse për Europën ne e arritëm objektivin u kualifikuam për në grupe, në kampionat sot filloi rrugëtimi dhe objektivi jonë primar nuk diskutohet që do të jetë gjithmonë kampionati. Golin ia dedikoj ekipit pasi kemi filluar që në qershor përgatitjet dhe nuk jemi ndalur asnjë ditë. Kemi një grup shumë të mirë dhe e rëndësishme shkojmë në harmoni brenda dhomave të zhveshjes. Kështu që u takon të gjithë shokëve të ekipit.”