Sulmuesi i Kukësit tregon se “shkundja” e presidentit bëri që skuadra të arrinte rezultatin. Dedikim dhe ftesë për tifozët
Elis Bakaj është autori i golit të parë të këtij edicioni. Goli i parë me fanellën e Kukësit, që ka një vlerë të artë. Sulmuesi kryeqytetas, pas ndeshjes për “Sport Ekspres”, u shpreh i lumtur për golin, por mbi të gjitha triumfin e arritur. Bakaj paralajmëron se kampionati do të jetë plot rivalitet, si ndeshja me Kamzën, për të cilën tregohet i sinqertë që nuk e priste të ishte një kundërshtar kaq i fortë.
E nisni me gol kampionatin me Kukësin, si e shihni këtë aventurë të re?
E kam thënë dhe më parë, që e kam pritur me dëshirën maksimale ardhjen time këtu te Kukësi. Është skuadra kampion. Është ekipi më i mirë, është ekipi për t’u mundur. Kam ardhur me kënaqësinë time të plotë këtu. Sot dua të falënderoj tifozët që në asnjë moment nuk na lanë vetëm. Tifozeria është një gjë shumë e rëndësishme për një skuadër futbolli, pavarësisht se patëm pak vështirësi dhe duhej ta zgjidhnim ndeshjen më herët, e rëndësishme është që morëm 3 pikët. Janë ndeshjet e para dhe të gjitha ekipet do të kenë probleme sa të arrijnë formën maksimale.
Kudo që keni luajtur keni arritur që të shënoni një sasi të konsiderueshme golash, besimi se ai ritëm dhe në Kukës?
Unë jam këtu për të ndihmuar ekipin. Në radhë të parë është ekipi, më pas pak rëndësi ka se kush shënon. E rëndësishme është që në momentin ekipi do të ecë, edhe ne lojtarët do të arrijmë të shënojmë. Parësor është ekipi dhe më pas vijnë individët. Nuk mund të jap një shifër se sa do të shënoj, por nëse nuk do të kem dëmtime, them se do t’i shënoj dhe unë golat e mi.
Pas humbjes në Superkupë, arrini një triumf të vështirë përballë Kamzës, sa ju ndihmon kjo fitore?
Ishte një fitore e vuajtur. Po të shohim të gjitha ekipet janë forcuar shumë, asnjë ekip nuk ka për ta pasur të lehtë, as ata që në letër janë pretendente. Përballë kishim Kamzën, që të them të vërtetën nuk e prisja të ishte kaq mirë. Është një ekip që do i hapë probleme të gjitha skuadrave, diçka që do e shihni në javët në vijim. Ne arritëm krijonim disa raste, por në futboll duhet të kesh dhe fat. E rëndësishme është që të merrnim tre pikë, dhe ta nisnim mbarë kampionatin.
Më parë ju kemi parë në rolin e sulmuesit të parë, ndërsa tani luani në krah. Në cilin pozicion preferoni ju të luani?
Pozicioni im është sulmues dhe dëshira ime është që të luaj si sulmues. Trajneri e ka parë të arsyeshme që unë të luaj në mesfushë dhe do mundohem që të jap maksimumin si mesfushor.
Keni një dedikim për golin?
Meqë ishte goli i parë, dua që t’ua dedikoj tifozëve të Kukësit që i ftoj të na mbështesin, pasi janë të mrekullueshëm dhe të japin një shtysë shumë të madhe.
Në pushimin e ndeshjes presidenti ishte në dhomat e zhveshjes, çfarë ju tha që në pjesën e dytë loja ndryshoi?
Presidenti është gjithnjë motivues ndaj skuadrës dhe bën mirë që vjen. Edhe ne lojtarë duhet të “shkundemi” ndonjëherë. E rëndësishme ishte që erdhi, na motivoi dhe e fituam ndeshjen.