Skënderbeu të paktën për momentin ka më shumë se 30 futbollistë që stërviten me skuadrën. Nga sot Daja dhe stafi teknik do të vendosin edhe për huazimet e tjera që do të bëjë skuadra, pasi kontigjenti është i madh dhe ka lojtarë që nuk mund të gjejnë dot hapësira për të qëndruar te Skënderbeu. Pak ditë më parë gazeta zbuloi lajmin e huazimit të dy lojtarëve, brazilianit Serxhio Junior dhe afrikanit Çarls. Kjo dyshe futbollistësh janë huazuar tashmë te Rabotniçki në Maqedoni, por nuk janë të vetmit që kanë këtë fat. Pritet që qysh sot Daja të lajmërojë të tjerë lojtarë që do të huazohen nga Skënderbeu për te skuadra të tjera qoftë edhe shqiptare, dhe kryesisht do të veprohet me ata lojtarë që kanë ardhur nga skuadra e të rinjve dhe ndonjë tjetër që nuk gjen dot vend në formacion apo në 25-shen e Skënderbeut. Sipas stafit teknik kjo është politika e klubit, pasi lojtarët që do të huazohen nuk mund të qëndrojnë dhe vetëm të stërviten, pasi kanë nevojë edhe të luajnë dhe në këtë mënyrë do t’u bënte më shumë se mirë huazimi. Me pak fjalë sot pritet të mësohen emrat e tjerë që do të huazohen nga Skënderbeu.