Ky është një tjetër Laç

Asnjë lidhje me verën e shkuar, më shumë se 10 ndeshje miqësore, përgatitje serioze dhe blerje interesante

Një vit më parë, në këtë moment, Laçi e konsideronte veten të pashpresë. Klubi kishte larguar 12-13 lojtarë dhe afrimet, sidomos nga Brazili, nuk ishin premtuese. Skuadra, që në gjithë këto vite nuk e kish diskutuar asnjëherë mbijetesën, madje kishte fituar 2 kupa dhe një Superkupë, kish luajtur 5 vite në Europë dhe kish treguar sens protaganizmi, dukej se po bënte hapat e fundit të një cikli që herët a vonë duhej të përfundonte. Më pas ndodhi mrekullia. 10 javët e fundit ishin të jashtëzakonshme. Pikë të fituara në fusha të pabesueshme, shumë fitore me vuajtje, dhe në fund një shpëtim, që ndonjëri thotë se është dhe çështje fati, por në thelb është çështje besimi. Në janar ishin 14 pikë nga mbijetesa. Në fund morën ato 40 pikët e mjaftueshme.

Sot gjërat kanë ndryshuar. Laçi ka vendosur të kthehet ai i pari. Madje, madje një sy i vëmendshëm mund të thotë se po bën përgatitjet më të mira në gjithë këto vite. Konfirmim i disa lojtarëve kryesorë – Selmani, Qaqi, Gjoni apo Nika, sa për të përmendur ndonjë emër – vijim i punës me trajnerin Nica dhe blerje interesante, ku sidomos nga Rexhinaldo në sulm pritet shumë. Për të ndihmuar mbrojtjen është rikthyer Ademir, ish-kampion me Skënderbeun, ndërkohë që alternativat nuk mungojnë. Sigurisht që ata nuk e thonë me zë të lartë, por këtë radhë do hyjnë në garë për të pretenduar sërish Europën. Vendi i katërt dhe finalja e kupës janë ëndrra e tyre e madhe.

Përgatitjet kanë qenë interesante jo vetëm në merkato. Laçi është skuadra që ka luajtur më shumë miqësore, rreth 12 të tilla deri tani, ndërkohë që përgatitjet kanë nisur më 3 korrik. Shumë klube të tjera të Superiores ende nuk e kanë ritmin e tyre.

Në fund është qetësia. Fusha e Laçit është kthyer në një të tillë normale dhe sezoni i shkuar ishte konstatim i qartë i këtij fakti. Skuadra mund të ketë humbur pak nga agresiviteti i ciklit të shkuar, por ka fituar më shumë futboll, më shumë respekt dhe patjetër më shumë vëmendje. Sezoni i shkuar paskësh qenë një rastësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *