Ndryshon vlera sipas “transfermarkt.com” për Skënderbeun pas largimit të Liridon Latifit. Pa kaluar 24 orë nga zyrtarizimi i kosovarit me skuadrën hungareze Pushkash Akademi, është ulur ndjeshëm vlera e Skënderbeut, pasi tashmë vlen vetëm 6.1 milionë euro. Kujtojmë që Latifi vlente sipas “transfermarkt.com” plot 825 mijë euro dhe korçarët në këtë mënyrë kanë bërë edhe këtë zbritje jo të vogël.
Latifi duhet theksuar se në skuadrën e re renditet si lojtari i dytë më i rëndësishëm, pasi në krye ndodhet hungarezi Roland Salai, që vlen 1 milion euro. Skënderbeu pritet të zbresë edhe më shumë ditët në vazhdim, pasi kujtojmë që disa ditë më parë “transfermarkt.com” kishte rreshtuar në faqen e Skënderbeut edhe turkun Butuhan Karadeniz, por ky nuk bën pjesë në organikën e korçarëve. Lëvizje të shumta do të ketë në ditët në vazhdim te vlera totale e Skënderbeut, sepse merkato nuk ka përfunduar. Priten të tjera përforcime te bardhekuqtë, që do ta rrisin ndjeshëm vlerën totale.
Nesër do të shtohet edhe Suad Sahiti, që kushton 150 mijë euro, por nuk do të jetë i vetmi. Vlera e Skënderbeut ka rënë për momentin dhe në grupin B të UEFA Europa League, nga vlera sipas “transfermarkt.com”, është në vend të katërt. Në krye është pa diskutim është skuadra ukrainase e Dinamos së Kievit, që vlen plot 83.2 milionë euro. Pas saj janë zviceranët e Jong Bojs, me 27.35 milionë euro, dhe më pas Partizani i Beogradit, me 20.2 milionë euro. Skënderbeu renditet në vend të katërt me vetëm 6.1 milionë euro. Pavarësisht kësaj, në Korçë besojnë shumë që kanë për t’ia dalë.