Milani në Europa League mes kujtimesh të mëdha

Kuqezinjtë do të përballen me Austrinë e Vjenës, Rijekën dhe AEK-un e Athinës, me të cilat i lidh një histori e gjatë

Milani, një prej klubeve favorite për të fituar Ligën e Evropës ka mësuar si gjithë të tjerët fatin në Montekarlo dhe rrugëtimin drejt finales së madhe të majit në Lion. Goglat nuk kanë rezultuar problematike për Milanin, që pasi ka kaluar Krajovën dhe Shkëndijën e Tetovës në fazën eliminatore, në grupe do të ketë përballë Austrinë e Vjenës, AEK-un e Athinës dhe Rijekën në Kroaci. Një short i vlerësuar pozitiv edhe nga mediat italiane për skuadrën e drejtuar nga Vinçenco Montela, që gjithsesi i ka kërkuar ekipit të tij kujdes maksimal për të mos bërë një figurë të shëmtuar në rikthimin në Evropë.

Austria e Vjenës kujton Rajkardin – Milani do ta nisë rrugëtimin e vet drejt Lionit me një sfidë interesante më 14 shtator në “Prater Stadion” të Vjenës kundër Austrisë së Vjetës, klubit më të titulluar në austri me 24 tituj dhe 27 kupa të këtij vendi. Kjo do të jetë përballja e parë në histori mes këtyre dy ekipeve, por është stadiumi “Prater” që i sjell kujtime të rëndësishme Milanit. Në vitin 1995 Milanin humbiste në këtë stadium në finalen e Ligës së Kampioneve përballë Ajaksit, që fitonte falë një goli të Patrik Klajvert. Por 5 vjet më parë ishte Milani që fitonte në këtë stadium Kupën e Kampioneve përballë Benfikës me golin e legjendës holandeze Frenk Rajkard.

Kundër Rijekës “italiane” – Milani do të ketë udhëtime të shkurtra në fazën në grupe. Pas Vjenës, një tjetër stacion për Milanin do të jetë Rijeka në Kroaci, një tokë konfliktesh politike mes Italisë dhe Kroacisë. Rijeka aktuale e Kroacisë ose Fiume për italianët vazhdon të prodhojë diskutime mes dy vendeve, ndonëse asnjëherë hapur. Për më shumë Rijeka drejtohet nga një italian, Gabriele Volpi që është dhe president i Specias. Ai zotëron 70% të aksioneve të Rijekës. Rijeka vjen në fazën në grupe nga play-off në Ligën e Kampioneve ku u eliminua nga Olimpiakosi i Besnik Hasit.

AEK-u dhe tifozët – Edhe me AEK-un dhe Athinën Milanin e lidhin shumë histori, sidomos finalja e Ligës së Kampioneve në sezonin 2006-2007 përballë Liverpulit, që përkon me Champions e fundit të fituar nga kuqezinjtë falë golave të Kaka dhe Inzagit. Problemi i vetëm për Milanit është atmosfera e nxehtë në Athinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *