Tefik Osmani njihet për batutat që e karakterizojnë. E nisi me humor intervistën pas suksesit të arritur ndaj Dinamos së Zagrebit, por e mbylli në lot. Në fakt, në mendje i erdhi një nga tifozët dhe nga përkrahësit e tij që kur ka nisur hapat e para të karrierës, i vëllai i tij, i ndarë nga jeta pak muaj më parë…Suksesin e Skënderbeut e ka quajtur mjaft të rëndësishëm kur edhe ka thënë: “Patjetër, sukses historik dhe të gjithë jemi të lumtur sepse kemi punuar shumë dhe kemi besuar”.
PREMIO – Osmani, foli edhe për premion, ku para ndeshjes tha se do e ndante atë me tifozët korçarë. “Po, do ta mbaj premtimin. Kur të shkojmë në Korçë do të ngre gotën e birrës lartë dhe do të bëj gëzuar bashkë me ta. Kjo është mënyra se si do të ndaj edhe premion me ultrasit”.
SHEHI – Osmani, ndër të tjera ka folur edhe për Shehin: “Nuk mendoj se do e lërë futbollin. Asnjë nga ne nuk do që ai të lërë futbollin. Madje, unë tani po shkoj 33 vjeç dhe mendoj se edhe unë pas dy viteve do tërhiqem bashkë me Shehin sepse kemi ende për të dhënë në futbollin e luajtur”.
TAKAJ – “Po jam i bindur që presidenti do ta mbajë fjalën për premion. Sot nuk ka si të na e japë, pasi të gjithë po festojmë dhe e kemi mendjen te suksesi, por jam i bindur se brenda një jave ne do të marrim premion e kualifikimit”, – shtoi mes të tjerash mbrojtësi shtatlartë i bardhekuqve.
SUKSESI – Në fund, Osmani ndan edhe suksesin me familjen, por mbërthehet nga emocionet. “Këtë sukses dua që t’ua kushtoj prindërve të mi. Kur më vdiq vëllai, unë iu premtova se titullin kampion do e sillja në Korçë. Por, nuk ia dolëm, e megjithatë, ky është një titull më i madh të cilin ia kushtoj nënës dhe babait tim (preket dhe nuk i përmban dot lotët)”, – ka përfunduar biseda e mbrojtësit që ka qenë edhe pjesë e kombëtares shqiptare, Tefik Osmani.