Vangjeli: Arritje e madhe, nuk e prisja të qëndroja kaq gjatë në Korçë

Në vitin 2014 u kthye në Korçë dhe fitoi menjëherë dy tituj kampionë në dy sezone rresht. Verën e shkuar shkoi disa javë në Rumani, tek Astra, por pastaj klubi rumun pati probleme dhe mbrojtësi 31-vjeçar vendosi të kthehej në shtëpi. Më mirë se në Korçë zor se mund të gjente: pagë e lartë, respekt nga të gjithë dhe qetësi. Tani Vangjeli shijon një sukses të rrallë në karrierë, me të cilin do të krenohet gjithmonë, sepse këta futbollistë që kaluan Dinamon e Zagrebit kanë bërë diçka epike, që ndoshta do të duhet shumë kohë që të përsëritet nga ndokush tjetër, edhe pse të gjithë urojnë dhe luten që net të tilla t’i kemi çdo verë. Pas ndeshjes, për Supersport, mbrojtësi i Skënderbeut nuk i fshehu emocionet e lumturinë.

“Është një arritje e madhe, një sukses i jashtëzakonshëm, ku meritë kanë të gjithë ata që kanë punuar prej vitesh, jo vetëm këtë verë. Tani shpresojmë ta shijojmë sa më gjatë”.

Qëndrimi i gjatë në Korçë? “Nuk e prisja as vetë që të qëndroja kaq gjatë, por më ka bindur presidenti. Klubi ka bërë një punë fantastike. Çdo vit kemi luajtur shumë mirë në Europë, ndonjëherë fati, si me Bate Borisov, nuk na ka ndihmuar, por në përgjithësi Skënderbeu ka shkëlqyer në Europë”.

Sudani, Henrikez, e të tjerët, sa e vështirë është përballë tyre? “Dinamo ka një ekip të shkëlqyer, ka edhe lojtarë mjaft cilësorë, por ia dolëm duke ndihmuar shumë njëri-tjetrin. Kam pasur një mbështetje të shkëlqyer nga pjesa tjetër e skuadrës, në çdo moment. Dinamo ka vite në elitën e futbollit evropian, ne e njohim forcën e kësaj skuadre, por njohim edhe forcën tonë dhe e dinim që mund të bënim diçka të madhe”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *