Pas kaosit të shkaktuar nga turpërimi në parket dhe akuzat pa fund nga trajneri Kostandinidhes, Shqipëria mëson edhe rivalët për turin paraeliminator të Kampionatit Europian të vitit 2021. Shorti i hedhur sot e ka vendosur Shqipërinë në grupin B, bashkë me Danimarkën dhe Armeninë. Sipas rregullores, vetëm skuadra fituese e grupit avancon për në fazën e ardhshme. Si Shqipëria, edhe Armenia e Danimarka nuk kanë ndonjë nivel të lartë basketbolli dhe rezultatet i kanë mjaft të dobëta. Armenia nuk është një kundërshtar i panjohur për Shqipërinë, që është ndeshur dy herë me këtë skuadër kohët e fundit. Bëhej fjalë për takime miqësore në kuadër të përgatitjeve për paraeleminatoret e Botërorit 2019 përfunduar para pak ditësh, duke u mundur dy herë me rezultat të ngushtë nga armenët.
Gjithsesi, përtej rezultateve, rivalët janë shumë më mirë nga ne në aspektin e organizimit, sepse tashmë jemi pa trajner, edhe pse në Federatën Shqiptare të Basketbollit nuk e përjashtojnë mundësinë e vazhdimit të punës me trajnerin qipriot, i cili u largua duke lëshuar një intervistë mjaft të ashpër, ku evidentonte mungesën e vëmendjes ndaj basketbollit dhe organizimin mediokër.