Shitjet rekord të biletave për ndeshjen e nesërme mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit kanë vijuar edhe dje, teksa në ditën e tretë pas daljes në treg të biletave, kompania që merret me shitjen e tyre ka bërë të ditur se u shitën edhe 3 mijë bileta. Në total numri i biletave ka kapur shifrën 8 mijë. Një shifër e tillë biletash të shitura nuk ishte parë kurrë më parë. Kujtojmë që do të shiten edhe sot e nesër bileta, ndaj dhe stadiumi “Elbasan Arena” do të jetë i tejmbushur. Shitje të mëdha ka pasur dje edhe në Elbasan dhe Tiranë. Afërsisht 6 mijë bileta, të paktën deri tani, janë shitur vetëm në qytetin e Korçës. Klubi korçar edhe njëherë u ka bërë thirrje tifozëve korçarë të vrapojnë, pasi nesër, në ditën e ndeshjes, është e sigurt që nuk do të ketë asnjë biletë në treg. Tashmë edhe 50 autobusët dhe mijëra mjete private janë bërë gati për t’u nisur nga qyteti i Korçës pasditen e nesërme. Klubi ka bërë me dije se nisja do të bëhet nesër, në orën 15:00, nga stadiumi “Skënderbeu”. Kanë mbetur deri në fund edhe 4.800 bileta të tjera, teksa të gjitha thuajse pritet të shiten gjatë ditës së sotme dhe nesër në mëngjes do të jetë e pamundur të gjesh një biletë për këtë ndeshje. Atmosfera duket se është super dhe gjithçka gati, ndërkohë që Skënderbeu për këtë ndeshje do të ketë një plus të madh, tifozët.