Klubi kampion në Gjermani, Bajerni i Mynihut ka përuruar dje qendrën e re stërvitore për ekipet e moshave nga mosha “U-9” deri në moshën “U-19”. Kjo qendër e re stërvitore, nën siglën “Bayern Campus”, ka kushtuar plot 70 milionë euro dhe i pranishëm në përurimin e tij ka qenë presidenti Uli Hënes, i cili ka theksuar se kjo është përgjigja më e mirë e Bajernit për çmenduritë që po ndodhin në merkato. Duke folur në momentin e prerjes së shiritit presidenti Hënes ka thënë: “Jam i mrekulluar, ne si klub po ndërtojmë të ardhmen dhe po u japim një përgjigje zhvillimeve më të fundit në futbollin ndërkombëtar të dominuar nga transferime të çmendura të lojtarëve dhe rroga marramendëse.”
“Shtëpia e talenteve” – Kampusi i ri stërvitor i Bajernit të Mynihut është një nga më modernët dhe është ndërtuar në një sipërfaqe prej 30 hektarësh. Në të përfshihen një stadium i vogël me 2500 vende dhe 7 fusha të tjera futbolli. Në këtë kampus përfshihen dhe një qendër fituesi, zyra, mensë dhe hotel për 35 talente. Kampusi i ri i Bajernit pritet të jetë shtëpia e ekipeve të moshave “U-9” deri në moshën “U-19”.
Pasuesi i Alabas… – Për ndërtimin e këtij kampusi janë dashur dy vjet, ndërkohë që prej vitesh në klubin bavarez është hedhur ideja e ngritjes së një akademie e denjë të furnizojë ekipin e parë. Kjo ka qenë një ide e hershme e presidentit Hënes që dje është vënë në praktikë. Lojtari i fundit i Bajernit të Mynihut i dalë nga ekipet zinxhir ka qenë David Alaba, teksa para tij prodhim “made in Bayern” kanë qenë dhe Filip Lahm, Bastian Shvajnshtajger, Tomas Myler dhe Mats Humels.