“Starova e di, dua një ekip sulmues. Nuk e kam problem edhe nëse humb dhe ekipi zhvillon lojë sulmuese dhe jep gjithçka nga vetja”, – deklaronte presidenti Gaz Demi në një studio sportive kohë më parë. Numri një i klubit shpaloste qartë dëshirën e tij dhe në atë kohë u cilësua edhe si një sinjal për trajnerin Sulejman Starova. Duket se dikush ia ka komunikuar edhe trajnerit Mark Juliano, pasi numri një i stolit ka nisur projektimin e një Partizani sulmues. Të paktën këto janë të dhënat paraprake që vijnë nga Kasha e Italisë, aty ku “demat” po zhvillojnë fazën përgatitore.
SKEMA – Trajneri Mark Juliano duket se ka vendosur të luajë me një skemë 4-3-3. Burime brenda klubit të kuq bëjnë me dije se italiani po merr shumë kohë në shpjegimin e kësaj skeme dhe e ka diskutuar shpesh me futbollistët e tij. Numri një i stolit ka nisur të përfytyrojë edhe lojtarët që mund të hedhë në fushë me anë të kësaj skeme. Të kuqtë duhet të kalojnë nga teoria në praktikë dhe aplikimi i një skemë të tillë nuk është lehtë, por kur titulli është objektivi kryesor, duhet sulmuar dhe fituar.
PROBLEMI – Momentalisht ka një problem te Partizani dhe ai mban emrin e sulmuesit Edgar Çani. Gjatë ditëve të fundit sulmuesi nuk është stërvitur me grupin, kjo për shkak të një problemi që ka në gju. Klubi i Partizanit nuk ka njoftuar për asnjë problem të sulmuesit, por dyshohet që 28-vjeçari do të humbasë prej dëmtimit të paktën tre javët e para në kampionat, por mund të mungojë edhe në pesë javë, për t’u kthyer në javën e gjashtë kundër Luftëtarit më 11 tetor. E shkuara ka treguar se Çani nuk i kalon lehët dëmtimet, ndaj kemi të bëjmë me një problem që në kampin e kuq shpresojnë të kalojë sa më shpejt. Nisja e kampionat është shumë e rëndësishme dhe Çani me shumë mundësi humbet premierën me Laçin, si dhe dy supersfidat me Kukësin dhe Skënderbeun, skuadra rivale për titullin kampion.
Formacioni i mundshëm (4-3-3)
Hoxha – Fejzullahi, Malota, Atanda, Kotobelli – Batha, La Kamera, Trashi – Sukaj (Progni), Adorjan, Çani
GJASHTË JAVËT E PARA TË PARTIZANIT
Partizani – Laçi
Partizani – Kukësi
Skënderbeu – Partizani
Partizani – Lushnja
Teuta – Partizani
Partizani – Luftëtari