Çani shqetëson Partizanin, problemet fizike e lënë pa stërvitje

Përforcimi i madh i verës për gjithë Superioren, Edgar Çani, është natyrisht shpresa e madhe e Partizanit për t’i çuar me golat dhe forcën e tij drejt titullit, por fillimi i aventurës së kuqe për Çanin nuk ka qenë e thjeshtë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka dy ditë që ka probleme fizike dhe nuk është stërvitur me ritëm të plotë.

Stafi mjekësor i Partizanit nuk jep detaje, por forma fizike e sulmuesit nuk është e mirë dhe nuk kuptohet ende nëse ka ndonjë dëmtim të mbartur nga sezoni i fundit, apo thjesht është pas me përgatitjet dhe nuk është gati për të përballuar ritmin e plotë të stërvitjes.

Gjithsesi, në ditët në vazhdim do të shihet dhe te Partizani shpresojnë që Çani të jetë fizikisht në rregull, sepse është një futbollist me strukturë të rëndë fizike dhe shpesh riaftësimet nga dëmtimet e lehta i ka pasur problematike në karrierën e vet.

Juliano shtrydh të kuqtë para sfidës së parë miqësore

Partizani ka mbyllur ditën e pestë të përgatitjeve në Kashia të Italisë, ku po zhvillon fazën përgatitore në prag të kampionatit. Trajneri Mark Juliano dhe stafi i tij po shfrytëzojnë në maksimum seancat stërvitore, duke përfituar edhe nga moti perfekt, ndaj të gjithë lojtarët po marrin ngarkesë të plotë fizike, me përjashtim të Çanit, i cili ka pasur shqetësime të vogla ditët e fundit. Programi stërvitor do të vazhdojë me dy seanca stërvitore në ditë deri më 17 gusht, ditë kur Partizani do të luajë miqësoren e parë italiane, kundër Vastezes. Megjithatë, ndeshja e vërtetë dhe më e rëndësishme luhet të shtunën, kundër Ternanës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *