Ze Maria: Dua edhe 3 lojtarë, Doka mund të shkojë larg

Ze Maria i rrëfen të gjitha. Nga dëshirat e tij për merkaton, deri tek skuadra që pret sezonin e ri. Njëshi i bardhebluve është i bindur se skuadra ka “stofin e kampionit”. Po kështu, trajneri zbulon se pret 3 futbollistë nga klubi. Vlerësim pozitiv për Albi Dokën, që mund të bëhet një lojtar i rëndësishëm i skuadrës, por mund të shkojë shumë lart në karrierë, nëse ndjek rrugën e vet…

-Një përshtypje për takimin me Lirinë e Prizrenit?

Ishte ndeshja jonë e parë në këtë sezon. Është normale që pas disa ditësh stërvitje të ishim të lodhur. Për më tepër, që ne kemi zhvilluar fazën atletike këto ditë dhe kështu më duhet të them që këto ishin kushtet. Gjithsesi, dua të them se ndeshja jonë më e rëndësishme është ajo e datës 6 shtator në Superkupë. Deri në momentin që u mbajtëm fizikisht, skuadra luajti mirë. Më  pas përdorëm lojtarët që janë në provë dhe është normale që skuadra ra në lojë.

-Merkatoja në ardhje si po shkon?

Për momentin mund të them që sot(dje) erdhi me skuadrën Eder Paulista. Gjatë javës do të vinë edhe 2-3 lojtarë të tjerë dhe besoj se jemi plotësuar. Nëse shoqëria mi sjell në skuadër sa më shpejt do të kem mundësi që të punoj.

-Sa bashkëpunon trajneri me klubin për mbërritjet dhe a të pengon kjo situatë në punën tuaj?

Trajneri bashkëpunon me klubin dhe punët e njëri-tjetrit janë të ndërlidhura. Mund të them se për disa kam dhënë disa opinione. Kam vlerësuar disa dhe kam zgjedhur të tjerë. Ka mbërritur Ederson(Paulista), Sentamu e Uellison erdhën para ndeshjes me Makabin, dy lojtarë të tjerë do të vinë në mesjavë dhe presim të tretin. Me gjithë këta “ingredientë”, mund të themi se çfarë “stofi” kemi. Jemi duke modeluar një ekip siç e duam ne, me dëshirën për të fituar dhe çdo gjë tjetër, e cila mungonte sezonin e shkuar. “Stofi” do të kthehet në një kostum shumë të mirë. Për këtë jam shumë i sigurt. Për t’ia arritur, duhet të jenë të mirë, si trajneri dhe stafi.

-Të vjen keq për lojtarët të cilët po ikin dhe çfarë të rejash ka?

Më vjen me të vërtetë keq. Janë lojtarë shumë të mirë, por unë duhet të mendoj për ata lojtarë që kam në grup. Për t’i zëvendësuar kam kërkuar futbollistë të rinj. Aktualisht kam një grup të madh lojtarësh të rinj, 19-vjeçarë. Dhe për të luajtur në Superligë duhet të kesh eksperiencë. Ata që do të vijnë, luajnë në kombëtaret e tyre dhe do të na japin më shumë siguri.

-Akua është lojtar i Tiranës?

Jo ka firmosur një kontratë me një skuadër tjetër dhe duhet të largohet këto ditë. Nuk e di ku ka firmosur me saktësi në Belgjikë apo Zvicër.

-Doka?

Nuk mund të them asgjë. Askush nuk më ka njoftuar. Shpresoj që të mos largohet nga ekipi. E patë edhe sot. Bën diferencën kur është mirë dhe për më tepër kap formën sportive shumë shpejt. Jam i bindur se nëse stërvitet, ai mund të luajë në kampionatet serioze, Spanjë, Angli, Itali. Duhet të rritet, por e pranoj se ka këto karakteristika. Nuk është ndonjë fenomen, por mund të bëhet futbollist i rëndësishëm.

-Cilët janë afrimet e tjera të Tiranës?

Muguna që vjen nga Gor Mahia dhe Toni Mauexhe lojtar i Ugandës. Janë duke marrë lejen e punës. Mund të them gjithashtu se kanë firmosur kontratat me Tiranën.

-Hoxhallari, Kërçiku dhe Muça?  

Dy të parët ishin të dëmtuar, por të dielën mund të jenë gati. Sa për Muçën, ai ende nuk është paraqitur në stërvitje. Është duke bërë analiza të hollësishme dhe do të shohim sesi do të shkojnë gjërat. Uroj që lojtari do të jetë i gatshëm për ne, sepse ka eksperiencën e mjaftueshme.

-Mendoni se ekipi do të jetë i gatshëm për javën e parë të kampionatit?

Sigurisht që do të jemi gati. Jemi në Kategorinë e Parë, por sigurisht jemi edhe Tirana, ekipi për t’u mundur në këtë kategori. Do të jemi gati, sepse do të kemi mbi shpatulla një ndeshje zyrtare. Do të luajmë edhe shumë miqësore, kështu gjithçka do të jetë “ok”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *