Trajneri Bano fuqizon prapavijën me 24-vjeçarin dibran, që sezonin e fundit u aktivizua me Korabin. Më parë ka veshur edhe fanellën e Kukësit e Partizanit
Arjan Likja
Ndoshta është paragjykuar si një ekip bashkie, por Lushnja ka befasuar deri tani, duke bërë një merkato relativisht të mirë, që i jep shpresa për një sezon dinjitoz në Superiore. Afrimi më i fundit i myzeqarëve është mbrojtësi Elvis Prençi, i cili, edhe pse është 24 vjeç, ka një karrierë të pasur, pasi është aktivizuar me Partizanin, Kukësin, Teutën dhe së fundi skuadrën e vendlindjes së tij, me Korabin. Lushnja ka arritur marrëveshjen me këtë futbollist, që tashmë është vënë nën urdhrat e trajnerit Artan Bano në Pogradec, ku skuadra verdhejeshile po zhvillon fazën përgatitore.
KONFIRMIMI – Lajmin për afrimin e mbrojtësit dibran e konfirmon për “Sport Ekspres” sekretari klubit lushnjar, Irakli Zeka, i cili shprehet: “Elvis Prençi ka firmosur për Lushnjën dhe i është bashkuar ekipit në stërvitje, që po zhvillohet në Pogradec. Kemi bërë një afrim me vlera, pasi Prençi ka përvojë në Superiore dhe do ta ndihmojë Lushnjën në objektivat e saj sezonalë. Po mundohemi të bëjmë maksimumin në merkato, duke afruar lojtarë me kualitet dhe përvojë”.
Vetëm pak ditë më parë nga Lushnja u largua mbrojtësi beratas Enea Bitri dhe drejtuesit e saj e kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin. Elvis Prençi forcon prapavijën lushnjare dhe mendohet të jetë titullar i formacionit të trajnerit Bano. Më parë te Lushnja janë afruar portieri Ibrahim Bejte, sulmuesi Brunild Pepa, mesfushorët Agim Meto, Orges Gava dhe së fundi Hermes Shkulaku. Tashmë vjen edhe Elvis Prençi, një tjetër lojtar me eksperiencën e Superiores dhe Lushnja e sezonit të ri pritet të jetë një skuadër e denjë për t’u përballur me sukses me çdo kundërshtar të kampionatit elitar. Ndërkohë, faza në Pogradec vazhdon me ritëm të lartë, me ngarkesa maksimale fizike. Pritet që Lushnja të luajë edhe ndonjë ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe.