Erjon Vucaj largohet nga Laçi, lajm i papritur, që ndoshta ka kapur të papërgatitur edhe drejtuesit e Laçit. Supersport raporton se mesfushori i njohur, i cili është një ndër lojtarët më të rëndësishëm në Laç dhe jo më kot ka marrë shiritin e kapitenit menjëherë sapo u kthye në janar, ka ndërprerë marrëdhëniet me klubin kurbinas, duke prishur kontratën me marrëveshje të dyanshme.
Sezonin e shkuar mesfushori 26-vjeçar pati një periudhë të errët te Tirana, por në janar kaloi te Laçi, ku është si në shtëpi dhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm në arritjen e mbijetesës së vështirë.
Tani shkodrani duket se ka gjetur marrëveshjen me ndonjë klub tjetër dhe nuk është çudi që të jetë Vllaznia, ku është kthyer edhe Hasani dhe një mesfushë me të dhe me Vucajn, por edhe Orelesin, do të ishte e frikshme. Gjithsesi, më shumë gjasa ka që Vucaj të jetë drejt Kukësit, klub që kërkon mesfushor qendror dhe ka financa shumë më të mëdha se Vllaznia.