Ritmi i ngadaltë i punimeve rrezikon përfundimin e rikonstruksionit të stadiumit në gjysmën tjetër të sezonit.
Arjan Likja
Për momentin në kampin lushnjar i kanë dhenë fund afrimeve në merkato dhe gjithçka është fokusuar te miqësorja me Leçen. Edhe pse kjo ndeshje luhet me një ekip të serisë C, italiane kushtet në të cilat po stërvitet ekipi verdhejeshil për të përgatitur këtë miqësore ndërkombëtare lënë shumë për të dëshiruar. Stafi teknik i myzeqarëve nuk ka në dispozicion një fushë stërvitore dhe të gjitha përgatitjet tekniko-taktike dhe fizike po bëhen në gjysmën e tapetit të vjetër dhe tejet të amortizuar të stadiumit “Roza Haxhiu”. Kjo stërvitje në fushë gjysmake është e imponuar nga fakti se firma që ka marrë në dorë rikonstruksionin e tapetit të stadiumit është duke punuar dhe ka hequr gjysmën e fushës së vjetër. Edhe në seancën e djeshme stërvitore stafi teknik kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e zyrtarizuar si pjesë e Lushnjës së sezonit të ri, si dhe një grup të vogël futbollistësh të rinj, që konsiderohen si perspektiva e stolit lushnjar.
STADIUMI – Ajo që të bie në sy në punimet për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe tribunës së “Roza Haxhiut”, si dhe në ndërrimin e tapetit të fushës, është fakti që po punohet me ritmin e breshkës. Kjo ecuri aspak premtuese të lë të kuptosh se rikonstruktimi i stadiumit sipas kushteve që kërkon Sektori i Licencimeve në FSHF, nuk ka gjasa që të mbarojë në afatin e shumë dëshiruar që Lushnja ta zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Vllaznisë në “Roza Haxhiu”. Jo vetëm kaq, por do jetë fitore e madhe nëse punimet në stadium do të përfundojnë në përfundim të fazës së parë të Superiores. Më shumë se kushdo tjetër këto vonesa të pakuptimta dhe të pa justifikuara i vuajnë tifozët e zjarrtë lushnjar, që mezi e kanë pritur rikthimin e ekipit të tyre në elitën e futbollit shqiptar. Me pak fjalë, nëse nuk vihet dorë në kapjen e kësaj situate dhe të bëhet e mundur përshpejtimi i punimeve, nuk është çudi që ndeshjet e Superiores ultrasit lushnjar t’i shijojnë në fillim të vitit të ri kalendarik, me pak fjalë, në gjysmën e dytë të kampionatit.