Drilon Musaj është zyrtarizuar tashmë si futbollist Dritës së Gjilanit në Kosovë, skuadër me të cilën ai ka firmosur për një sezon.
Mbrojtësi i djathtë shkëlqeu sezonin e fundit, duke luajtur thuajse 3000 minuta në Superiore, por ka vendosur ta ndërpresë bashkëpunimin dy-vjeçar me Laçin, sepse ka vendosur të kthehet në Kosovë dhe një arsye e fortë ka qenë edhe familja.
Gjithsesi, Musaj është larguar në mënyrë miqësore, në përfundim të kontratës, ndërsa sot ka postuar një mesazh për Laçin, presidentin Laska dhe lojtarët e tifozët.
“Unë zyrtarisht do të vazhdoj karrierën time gjate këtij viti tek KF Drita e Gjilanit. Kam kënaqësinë të jem pjesë e këtij klubi. Do të jap maksimumin tim që të zhvilloj loje të bukur në futbollin kosovar, njëkohësisht t’iu ofroj më të mirën tifozëve të klubit “Intelektualët”. ?
Gjithashtu, dua të falënderoj edhe klubin KF Laçi, bashkëlojtarët për lojërat që i kemi luajtur bashkë. Faleminderit tifozëve dhe presidentit Pashk Laska për përkrahjen e vazhdueshme plot dy vite”.